Policia e Durrësit ka goditur një rrjet të organizuar prostitucioni, ku në pranga kanë rënë dy shtetase kineze dhe një shtetas shqiptar, pronar i apartamenteve që ishin dhënë me qira pa kontratë për ushtrim prostitucioni.
Sipas hetimeve, apartamentet ndodheshin në lagjen nr. 13 të qytetit dhe ishin përshtatur enkas për këtë aktivitet. Dyshimet janë se komunikimi me klientët bëhej përmes një call center-i nga jashtë vendit, duke ngritur dyshime për lidhje me një rrjet ndërkombëtar.
Policia njoftoi se janë arrestuar shtetaset kineze D. Sh., 54 vjeçe, dhe S. Y., 40 vjeçe, si dhe shtetasi shqiptar S. M., 39 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ka dhënë në mënyrë të qëllimshme apartamentet për shfrytëzim prostitucioni, pa kontrata qiraje dhe të përshtatura për këtë aktivitet.
Po ashtu, janë proceduar penalisht 2 shtetase kineze të tjera dhe 5 shtetas shqiptarë, të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet.
Gjatë kontrollit, janë sekuestruar: pasaporta, shuma parash, celularë dhe karta bankare.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi disa-javor me metoda proaktive nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.



