Dialogu me serbët e Kosovës: Telashet që mund ta stepin kryeministrin Kurti

Në opinionin publik kosovar është krijuar përshtypja e gabuar se vetëm shqiptarët e Kosovës përballen me regjim vizash, se vetëm shqiptarët e Kosovës kanë probleme administrative, e se vetëm komuniteti shqiptar në Serbi ka probleme me certifikata e tekste mësimore.

Në të vërtetë, gjërat janë më ndryshe. Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar nisjen e një dialogu të brendshëm me serbët e Kosovës.

Ai do të jetë i befasuar, shkruan Periskopi, kur të kuptojë se shifrat e papunësisë në mesin e të rinjve serbë janë edhe më të larta se shifrat e papunësisë në mesin e të rinjve shqiptarë. Raportohet se 60 për qind e të rinjve shqiptarë janë të papunë, ndërsa 80 për qind e të rinjve serbë.

Por, a mund të udhëtojnë qytetarët serbë të Kosovës që kanë pasaportë të Serbisë në vendet e Schengenit?

Edhe pse një gjë të tillë mund ta bëjnë të gjithë serbët nga Serbia, kjo është e ndaluar për të gjithë serbët nga Kosova.

“Serbët e Kosovës, edhe pse posedojnë dokumente të Serbisë, janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë [nga Serbia]. Çka do të thotë kjo saktësisht? Pra, nëse jeni serb që jetoni në Kosovë, Serbia iu lejon që të posedoni dokumente të Serbisë. Qytetarët e Serbisë, të cilët posedojnë pasaportë serbe nuk kanë nevojë për vizë për vizita turistike… Tingëllon shumë bukur, apo jo? Natyrisht, por jo edhe nëse jeni serb i Kosovës.” – komentonte Nevena Radosavljeviq, një intelektuale e re nga komuniteti serb.

Në fakt, qytetarët serbë të Kosovës duhet të vinë në Prishtinë, ashtu si qytetarët shqiptarë, për të aplikuar për viza për udhëtimet e tyre në vendet e zonës së Schengenit, përcjell Periskopi.

Znj.Radosavljeviq ka treguar se edhe serbët të cilët janë zhvendosur në Serbi tashmë e kanë të pamundur që të pajisjen me pasaportë normale të Serbisë.

Qytetarët serbë të Kosovës po ashtu janë ankuar edhe për ndërrimin e dokumenteve e operatorëve telefonikë.

Në veçanti, ata janë ankuar për mos-lejimin e teksteve mësimore serbe në Kosovë, e po ashtu edhe për mos-njohjen e certifikatave shëndetësore nga Serbia.

Veç këtyre, para disa muajsh bëri bujë të madhe mediatike në Serbi mos-lejimi i qytetarëve serbë që të futeshin në Kosovë përmes pasaportës serbe. Në fakt, kjo është masë reciprociteti e ndërmarrë nga shteti i Kosovës, të cilit po ashtu nuk i lejohen qytetarët e saj që të futen me pasaportë në Serbi, por vetëm me letërnjoftim.

Kurti për një kohë të gjatë ka ushqyer retorikën e keq-informuar nacionaliste shqiptare sipas së cilës komuniteti i serbëve të Kosovës ishte i privilegjuar ndërkaq komuniteti shqiptar i diskriminuar.

Hallet e serbëve të Kosovës që tashmë do të përfaqësohen krejtësisht nga Lista Serbe në institucionet kosovare është shumë e mundshme që do ta stepin atë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme