Digjen tre krerë lopë, sulm me armë e rrahje, policia jep detaje

Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar 15 persona për vepra të ndryshme penale, si sulm fizik, armëmbajtje pa leje e zjarrvënie. Në rajonin e Prishtinës për incident kriminal është arrestuar një person i cili ka sulmuar fizikisht një person tjetër duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me urdhëresë nga gjykata është dërguar për vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës dhe i janë konfiskuar një revole dhe tetë fishekë
Për armëmbajtje pa leje janë arrestuar edhe dy persona të tjerë në Prishtinë. Nga të dyshuarit gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar një revole me një fishek të kalibrit 7.62mm dhe një thikë. Njëri nga të dyshuarit pas intervistimit në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë në Prizren, policia raporton se një person derisa ishte duke punuar me një person tjetër në çmontimin e një dere të blinduar, për një moment kishte rënë dera duke e zënë viktimën. Si pasojë e kësaj viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, dhe është dërguar në tretman mjekësor në QKUK.

Për shkak se ka shtënë me armë zjarri në ajër, policia ka arrestuar edhe një person në Pejë.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e kalibrit 7.65mm. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole Ekol Special që dyshohet të jetë përdorur në rast.

Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të panjohura është djegur stalla e viktimës në fshatin Pataqan i Poshtëm të Rahovecit. Përveç objektit, në stallë janë djegur edhe tre krerë lopë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zjarrfikësit që e kanë fikur zjarrin.

Zjarrvënie pati edhe në fshatin Mikushnicë të Skenderajt. Një person ka raportuar se në rrethana të panjohura në zjarr i është përfshirë ferma e pulave. Njësia e zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Sipas ankuesit, vlera e dëmit është e konsiderueshme. Rasti është duke u hetuar.

Ndërkohë për sulm fizik, policia arrestoi një person në Zubin Potok. Sipas policisë, i arrestuari ka sulmuar fizikisht një serbe.

Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretmani mjekësor. Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në një prononcim për Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se situata e sigurisë në vend gjatë këtyre ditëve të festimit në përgjithësi ka qenë e qetë.

“Mund të ju informoj se gjatë këtyre ditëve të festimeve për nder të shënimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, situata e sigurisë dhe rendit publik e ndërlidhur me festimet dhe aktivitetet organizative në përgjithësi ka qenë e qetë, ka kaluar mirë dhe nuk janë shënuar incidente që kanë mundur të ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese. Jashtë procesit festiv, janë evidentuar incidente të natyrave të ndryshme, por të cilat incidente janë menaxhuar nga Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore. Gjatë ditëve festive edhe gjendja në trafikun rrugor ka qenë më e qetë se herëve tjera, nuk ka pasur aksidente fatale, si dhe numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe me dëme materiale ka qenë i një trendi në rënie, respektivisht ka pasur më pak aksidente rrugore. Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin e saj të veçantë operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese për shënimin e vitit jubilar të shtetësisë së vendit, dhe njëkohësisht falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet dhe gjithë mysafirët pjesëmarrës tjerë në këto aktivitete për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur me autoritetet e rendit në aspektin e sigurisë gjatë gjithë këtij procesi”, tha Hoxha.

Sa i përket aksidenteve në trafik, policia raporton se nuk ka asnjë me fatalitet. /Express/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme