Analisti Mentor Kikia komentoi skandalin që ka përfshirë Vlora Hysenin, ish drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, e cila akuzohet se i ka dhënë informacione sekrete Ergys Agasit teksa ai ndodhej në arrati.
Në një intervistë për News24, ai theksoi se mesazhet rozë mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit nuk tregojnë asgjë në raport me akuzat për të cilat po hetohet ish drejtuesja e SHISH. SPAK po e heton atë për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit hetimor, ndërsa drejtonte Shërbimin Informativ.
“Çështja e SHISH është thelbësisht shtetërore, është e rëndësishme nga hetimi i drejtësisë pasi deri tani dimë pak ose fare nga e vërteta e madhe që gjendet në dosje. Deri tani janë hedhur për konsum copa bisedash nga përgjimet telefonike, ku nuk dëshmohet asgjë tjetër, përveç faktit se Hyseni dhe Agasi kanë shkëmbyer mesazhe në konotacion raportesh intime. Por, kjo nuk përbën asgjë me rëndësi në raport me akuzën e ngritur ndaj Hysenit”, tha ai.
Ai theksoi se do të duhet që të sqarohet se çfarë informacionesh sekrete i ka dhënë Vlora Hyseni Ergys Agasit dhe për çfarë janë përdorur ato.
“Do të duhet të mësohet se çfarë informacionesh janë përcjellë nga SHISH te Ergys Agasi. Pjesë e dosjes së Hysenit nuk është vetëm ajo, por brenda të njëjtën ditë operacioni kishte edhe ish drejtuesin e Policisë, Ilir Proda, që iu bë kontroll banese, i janë sekuestruar sende personale, është marrë në pyetje nga SPAK.
Çështja është edhe te një zinxhir institucionesh që supozohet se raportonin të dhëna te Agasi. Deri tani nuk kemi mësuar as thelbin dhe as majën në raport me shkeljen e ligjit që akuzohet Hyseni dhe ish laboranti i Policisë Shkencore, për nxjerrjen e sekreteve.
Deri tani nuk kemi mësuar ndonjë sekret, pasi shprehje të tipit “do të fik radarët për ty” nuk është provë, sekret, dokument por thjesht një shprehje rutinë që nuk përbën asnjë vepër penale”, shtoi ai.
The post “Dimë shumë pak nga e vërteta e madhe”, Skandali i SHISH, Kikia: Duhet të sqarohet çfarë informacionesh i ka dhënë Vlora Hyseni Ergys Agasit, dhe për çfarë janë përdorur appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



