Nga Nikola Kedhi, Nënkryetar i PD
Shqiptarët kanë zbritur prej gati katër muajsh në shesh. Kërkojnë të jetojnë në vendin e tyre me dinjitet, në normalitet, si çdo popull tjetër i këtij kontinenti. Vetëm kaq. Asgjë jashtë normales, apo të jashtëzakonshme. Pikërisht kjo kërkesë e thjeshtë është kthyer sot në kërkesën më thelbësore në Shqipëri, nga të gjitha grupimet shoqërore.
Shtyllat e Republikës kanë rënë. Modeli ekonomik favorizon një pakicë oligarkike dhe mbahet në këmbë nga paratë e drogës që pastrohen në ndërtim e turizëm. Siguria kombëtare ka rënë në dorë të krimit duke cenuar sigurinë tonë, dhe atë të partnerëve tanë. Korrupsioni është ngjitur në nivele rekord, dhe sipas Transparency International, vendi ynë ra me 11 vende në vetëm 1 vit. Atdheu po shitet copë-copë, ndërsa shqiptarët po dëbohen dhe po zëvendësohen. Krimi nuk po sfidon pushtetin, por është tashmë pushteti. Asnjëherë në këto 36 vite nuk kemi qenë të rrezikuar në këto përmasa. Në pak vite nuk kemi për ta njohur më vendin tonë. Ndaj, si shumë herë përgjatë historisë sonë, në momentet e rrezikut më të lartë, na duhet të ngrihemi në lartësinë që kërkon Shqipëria.
Shqipëria u përket shqiptarëve. Liria, atdheu, dinjiteti dhe prona nuk janë të negociueshme. Kjo është ajo që na mban të gjithëve bashkë, edhe kur nuk biem dakord për asgjë tjetër.
Natyrisht, protesta heroike në Bulevard nuk është pronë e askujt, as e jona, edhe pse ne e mbështesim plotësisht e pa kushte. Ne kemi bindjen absolute se suksesi i protestës është suksesi i Shqipërisë. Ajo nuk nisi nga një zyrë partie dhe nuk do të mbarojë me urdhër nga lart.
Protesta nisi nga llogaritjet që çdo familje shqiptare duhet të bëjë që të arrijë të mbyllë muajin me shumë vështirësi, nga mungesa e shërbimit minimal shëndetësor, nga arsimi i shkatërruar me qëllim, nga radhët në Rinas të të rinjve shqiptarë që detyrohen të kërkojnë fatin diku tjetër, nga kriminalizimi i ekonomisë e shoqërisë, nga rënia totale e shtetit dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe me krimin, nga çmimet e larta të ushqimeve e apartamenteve e fuqia blerëse më e ulët në Europë, nga mungesa e meritokracisë në një sistem që shpërblen të fuqishmin, mikun e kryeministrit, të fortin e rrugës, dhe jo të zotin, të aftin, të riun që do të kontribuojë në vendin e vet.
Të gjithë këto arsye na bashkojnë. Patjetër që mes atyre që qëndrojnë çdo mbrëmje në shesh ka shumë njerëz që nuk u besojnë as partive, as neve. Besimi mes nesh, mes të gjithë grupimeve në shoqërinë shqiptare, është dëmtuar dhe do të kërkojë vite për t’u rikthyer. Por rikthimi i tij nis nga e vetmja gjë që na bashkon edhe kur nuk duam ta pranojmë, dhe ajo është Shqipëria.
Në këtë gjendje emergjence kombëtare ne nuk duhet të ndëshkojmë Shqipërinë për mosbesimin që kemi ndaj njëri tjetrit. Shqipëria nuk ka kohë të presë derisa ne të zgjidhim çdo dallim që kemi.
Ky pushtet nuk mbahet se është më i fortë se ne. Mbahet me lodhjen tonë, me dyshimin që kemi te njëri tjetri, me përçarjen që ai shkakton mes nesh. Ai fiton vërtet vetëm kur e bind secilin prej nesh se ndryshimi është i pamundur. Frika është e vetmja taksë që ky pushtet e mbledh me sukses. Detyra jonë është ta thyejmë këtë bindje. Shqipëria nuk është e dënuar të jetë vendi i varfërisë, i shpopullimit, i padrejtësisë dhe i frikës
Ne, për sa na takon, po e rindërtojmë forcën tonë
politike nga poshtë lart, nga anëtari te qendra, duke pranuar edhe gabimet tona. Po ndërtojmë përgjegjësi të matshme, njerëz me emër për çdo detyrë, disiplinë shumë më të madhe. Që ky regjim të bjerë, gjithsecili duhet të jetë në formën e vet më të mirë, me armët më të mira që ka. Ne po bëjmë tonën që të jemi në lartësinë që shqiptarët kërkojnë.
Koha na ka dhënë të drejtë. Të gjithë denoncimet e opozitës sot janë të faktuara. Kërkesat tona në vite sot janë 5 kërkesat zyrtare dhe të protestuesve. Ne kemi denoncuar prej vitesh edhe ligjet që kërkohen sot të abrogohen nga qendrëstaret. I kemi çuar në Gjykatë kushtetuese dhe kemi bërë disa beteja kundër tyre dhe porositësve të këtyre ligjeve. Qëllimi ynë është i përbashkët.
Ky pushtet autokratik nuk bie nga fjalime dhe nuk bie nga një protestë e vetme. Bie kur takohen dy forca: trysnia nga jashtë dhe trysnia nga brenda. Sot, për herë të parë pas shumë vitesh, po ndodhin të dyja. Jashtë, mbulesa politike që e ka mbrojtur këtë qeveri ka rënë. Përgjimet që publikohen, retorika e ashpërsuar e partnerëve tanë, si dhe raportet ndërkombëtare janë shenjë e qartë e kësaj. Brenda, njerëzit kanë vrarë frikën, dhe kur një popull bën këtë hap, pushteti e humb burimin kryesor të energjisë së vet. Rreziku i vetëm real nuk është forca e tyre. Është lodhja dhe përçarja jonë. Ata nuk kanë nevojë të na mundin. Kanë nevojë vetëm të presin derisa ne të mundemi me njëri-tjetrin. Ne sot jemi në momentin më të mirë për të rrëzuar të gjithë bashkë këtë regjim të goditur për vdekje. Është thelbësore që të gjithë të dalim në shesh në numra masivë e me një kërkese të qartë e të drejtuar te individi i vetëm përgjegjës për këtë situatë.
Për këtë arsye, Shqipëria ka nevojë sot për një Kontratë të Dinjitetit, një besëlidhje reale, të sinqertë mes njerëzve të ndershëm të këtij vendi, një marrëveshje morale që nisemi ta bëjmë së pari me njëri-tjetrin dhe vetëm pastaj me shtetin. Një zotim se Shqipëria nuk do të jetë më pronë e pushtetit, plaçkë e oligarkëve, tokë pa zot dhe vend prej nga ikin të rinjtë dhe familjet.
Kjo është emergjenca dhe detyra e çdo patrioti sot. Gjithçka tjetër vjen pas saj. Kërkesa jonë e përbashkët është e qartë dhe e kufizuar: largimi i këtij pushteti dhe një qeveri teknike, e paanshme, me një mandat të shkurtër dhe të matshëm, që kthen institucionet te ligji, liron administratën nga frika, çliron median dhe organizon zgjedhje vërtet të lira e të ndershme. Partia Demokratike nuk kërkon të drejtojë qeverinë teknike. Ne kërkojmë vetëm rregulla të qarta e të drejta loje për të garuar më pas si gjithë të tjerët.
Pas rënies së Ramës mbaron dhe puna e frontit të përbashkët dhe nis puna e demokracisë, sado e brishtë të jetë ajo. Atëherë do të kemi kohë të tepërt për të diskutuar dallimet tona, të cilat janë reale. Do të dalim përpara shqiptarëve me programe të ndryshme, me ide të ndryshme, me gara të ashpra, dhe le të zgjedhin ata. Ky është kuptimi i lirisë. Dallimet të zgjidhen me votë e jo me dhunën e pushtetit.
Pas kësaj vjen puna e vërtetë, ajo e rindërtimit të Republikës mbi disa shtylla të drejta, pavarësisht se kush qeveris. Republika e Dinjitetit është një Republikë ku rregullat nuk i lejojnë askujt që qeveris të bëjë çfarë të dojë. Ku puna shpërblehet më shumë se lidhjet me pushtetin. Ku merita të hapë dyer, jo lidhjet me pushtetin. Ku prona të mbrohet nga shteti, jo të grabitet prej tij. Ku familja të jetë themel i shoqërisë dhe jo llogari e fundit e buxhetit. Ku sipërmarrja të çlirohet nga klientelizmi dhe të konkurrojë me cilësi, jo me afërsi. Ku shteti të mos jetë zot mbi qytetarin, por garant i rregullave të ndershme. Ku ekonomia të ndërtohet mbi prodhimin, punën, inovacionin dhe konkurrencën, jo mbi para që vijnë nga hijet dhe ikin po aq shpejt. Dhe mbi të gjitha, ku asnjë i ri të mos detyrohet të zgjedhë mes dinjitetit dhe largimit.
Kjo do të thotë një prind që e dërgon fëmijën në spitalin publik pa telefonuar askënd. Një zyrë hipotekash ku dosja jote ecën me radhë dhe jo me njohje. Një i ri i cili zgjedh të blejë shtëpi këtu dhe jo biletë avioni. Një sipërmarrës që merr tenderin sepse ka ofertën më të mirë, jo mikun më të fortë. Nuk është utopi. Është normaliteti i çdo vendi europian.
Ne e kemi dorën të shtrirë për këdo, sado skeptik të jetë me ne. Jemi gati të ulemi me këdo që e do këtë vend, të bisedojmë për çdo formë bashkëpunimi, të heqim dorë nga çdo lloj përparësie që na takon apo mendojmë se na takon, me një kusht të vetëm: që në fund të kësaj beteje të mos ketë fitues partish, por një vend të ripërtërirë që fiton.
Në fund, ose e shpëtojmë bashkë Shqipërinë, ose e humbim përgjithmonë. Nuk ka rrugë të tretë dhe nuk ka shpëtim të veçantë për askënd.
Ne besojmë te Republika e Dinjitetit. Le ta ndërtojmë së bashku.
The post Kontrata e Dinjitetit: Ose e shpëtojmë bashkë Shqipërinë, ose e humbim përgjithmonë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



