Diplomati gjerman fut më thellë në krizë Bashën e Ramën

Një javë para vizitës që do të kryej në vendin tonë, David McAllister, anëtar i partisë së kancelares Angela Merkel, i caktuar në emër të PPE-së si negociator për të zgjidhur ngërçin politik, Shqipërinë e ka vizituar Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. Pas takimit me shefin e qeverisë shqiptare, në daljen e tij para mediave, ai i doli në krah kryeministrit Edi Rama, ku kërkoi nga opozita shqiptare që të futet në Kuvend dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Edhe pse diplomati gjerman porositë ia tha në sy dhe kreut të PD-së në takimin një orësh, kreu i PD-së në fund tha se opozita do t’u shkojë deri në fund kërkesave të saj.

Deklarata

Pas takimit që pati me kryeministrin Edi Rama, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, në një konferencë për shtyp nga selia e qeverisë përsëriti mesazhin që opozita të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend për të votuar Reformën në Drejtësi. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të opozitës për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, shefi i diplomacisë gjermane nënvizoi se, qeveria ku ai bën pjesë është e gatshme të ofrojë ndihmë, por kjo sipas tij duhet të diskutohet në Parlament dhe jo në çadër. “Ne rekomandojmë që ky bojkot të mbyllet dhe të shkohet në zgjedhje. Nëse vendi kalon në një situatë kaotike ne nuk mund të ofrojmë mbështetje. Ky bojkot largon vendin nga anëtarësimi në BE. Dëshiroj të theksoj se ajo çka po them këtu në Tiranë nuk është pikëpamja ime personale, por edhe pikëpamja e qeverisë federale, pikëpamja e kancelares Merkel. Ne të dy jemi anëtarë të partive socialdemokrate dhe mund të ketë ndonjë interpretim për këtë shkak, por më lejoni të nënvizoj se ky është një pozicionim i qeverisë federale”, deklaroi ndër të tjera Sigmar Gabriel, teksa tha se bllokimi i Reformës në Drejtësi bëhet nga grupe që kanë frikë nga e shkuara e tyre.

Reagimi

Pak minuta pas kësaj deklarate, ministri i Jashtëm gjerman u takua me kreun e opozitës. Ky i fundit pas takimit tha se e kishte njohur kryediplomatin gjerman me ato që i quajti fakte të pakundërshtueshme që çmontojnë propagandën e qeverisë, por nuk komentoi deklaratën që bëri Sigmar Gabriel ku kërkoi t’i jepet fund bojkotit të Parlamentit dhe zgjedhjeve të 18 qershorit. “Nuk komentoj deklaratën e tij të mëparshme, sepse kisha mundësinë ta sqaroja, siç nuk kam ndërmend t’i paraprij gjykimit të tij për informacionet që i dhash. Injorimi i tonelatave të drogës është ndëshkim për Shqipërinë, është inkurajim për krimin e organizuar dhe për Edi Ramën që të mbjellë dhe tonelata të tjera. Ku do të çojë kjo? Kjo do të çojë në një destabilizim të vendit drejt një rënie totale të institucioneve të demokracisë, do të dëmtojë Shqipërinë, rajonin dhe Europën”, deklaroi Basha, duke shtuar se PD nuk do të heqë dorë nga kushti i saj për zgjedhjet.

“Zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi, nuk ka për të pasur, sepse këto do të çonin në situatë eksplozive drejt destabilizimit total. Jemi të hapur dhe të vendosur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat e përgjegjshme politike për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike”, tha ai, duke nënvizuar se i bëri të qartë Gabrielit që nuk është Partia Demokratike që po bllokon reformën në drejtësi dhe procesin e Vetting-ut. “Vettingu nuk do bëhet siç e do Edi Rama, as siç e dua unë. Vetting-u nuk do bëhet si e do asnjë Kryeministër, sepse është konflikt interesi, sepse qeveria ka në dorë paratë, krimin në këtë rast. Kush do ta hetojë? Gjyqtarët që do të caktojë Edi Rama?! Opozita do kthehet të votojë 6 ligjet kur Edi Rama të shpërbëjë thyerjen e paktit. Zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama në konferencë për shtyp ka falënderuar ministrin për mbështetjen e Gjermanisë në proceset që po kalon Shqipëria. “Një mbështetje e shprehur dhe e pasqyruar më së miri në ekspertizën dhe asistencën gjermane për forcimin e administratës publike, sistemin e së drejtës, etj. Për të çliruar drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe për t’i dhënë një përgjigje të prerë BE-së, se Shqipëria është gati të nisë negociatat e anëtarësimit”, ka thënë Rama. Ai ka bërë me dije se, Gabriel po luan një rol të veçantë që takimi mes vendeve të Ballkanit në Trieste të jetë në vazhdën e samiteve në Berlin, Vjenë e Paris.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme