Disa krerë komunash kanë bllokuar nisjen e funksionimit të ambulancave modulare në Shkup

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministria e Shëndetësisë nuk heq dorë nga lëshimi në përdorim i ambulancave modulare tashmë të ndërtuara në disa komuna të Shkupit. Ministri Sali tha se kjo çështje po zvarritet për shkak se disa kryetarë komunash po kundërshtojnë bashkëpunimin kur bëhet fjalë për kyçjen e ambulancave në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Këto objekte janë të vendosura në tre komuna të ndryshme në të cilat po hasim në vështirësi në komunikim dhe në realizim të këtij qëllimi final të cilin Ministria e Shëndetësisë e ka zbatuar gjatë vitit 2021. Për fat të keq ende nuk kemi një zgjidhje finale, kemi ardhur në situatë që ka përfunduar pjesa ndërtimore por kyçja në rrjetin e ujit, kanalizimit dhe rrymës elektrike nuk mund ta realizojmë pa përkrahjen e pushtetit lokal”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Mes këtyre komunave është edhe ajo e Butelit. Drejtuesit e saj thonë se nuk kundërshtojnë asnjë lloj bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë, por mbeten në qëndrimin se ambulanca modulare në këtë komunë duhet të dislokohet me qëllim që hapësira të lirohet për realizimin e projektit për ndërtimin e një poliklinike me themele.

Banorët e Butelit kërkojnë lëshimin në përdorim të ambulancës modulare, nëse e njëjta është e sigurt dhe plotëson të gjitha kushtet për punë.

“Pse mos të lëshohet në përdorim, bukur është. Ne jemi të moshuar, detyrohemi të shkojmë në këmbë deri atje lartë, nuk mundem, më dhembin këmbët. Nuk di përse nuk po e lëshojnë”, tha një qytetare.

“Tashmë një vit që është ndërtuar dhe akoma nuk po e hapin. Po shkojmë në një objekt për askund”, shtoi një qytetare.

“Nëse çdo gjë është e sigurt duhet të lëshohet në përdorim. Shkojmë lart te ambulanca, kushtet janë për askund”, tha një qytetare.

Në mungesë të ambulancës, banorët e Butelit shërbimet shëndetësore po i marrin në objektin e Shoqatës së pensionistëve.

Ata shprehën të revoltuar për kushtet e vështira në këtë objekt. Ambulanca të këtij lloji janë ndërtuar edhe në Gjorce Petrov dhe Aerodrom./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme