Dita e Gjuhës Amtare, Mexhiti: Formulime si 20 përqindëshi duhet t’i kalojnë të së kaluarës

Gazetar: Suad Bajrami

Ne besojmë se Kushtetuta duhet të prodhojë zgjidhje, jo të prodhojë probleme apo frustracione, ndërkaq rregullimi i përdorimit të shqipes nuk duhet parë si krizë. Kjo ishte porosia e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti në hapjen e konferencës shkencore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare “Gjuha shqipe – identitet dhe jo politikë”, e organizuar nga Agjencia për Përdorimin e Gjuhës.

“Formulime si 20 përqindëshi i popullsisë duhet të mbeten në të kaluarën dhe të zëvendësohen me terma të drejtë dhe të pranueshëm politikisht. Shqiptarët nuk janë statistikë, ata janë pjesë e pandashme e këtij shteti. Rregullimi kushtetues i gjuhës shqipe nuk duhet parë si krizë, por si mundësi për të adresuar çështjet problematike dhe për të garantuar një shtet më funksional dhe gjithëpërfshirës”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi porositi që të mos politizohet avancimi i shqipes, pasi edhe më shumë pengohet.

“Vlerësoj se zyrtarizimi dhe avancimi i statusit dhe përdorimit të gjuhës shqipe, duhet të trajtohet përtej interesave politike për të shmangur çfarëdo keqpërdorimi. Jam i bindur se sa më shumë politizohet, aq më shumë pengohet avancimi i saj. Gjuha shqipe është lodhur nga politika”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Shqipja të largohet nga politika, kërkoi edhe drejtori i Agjencisë, Granit Osmani.

“Vetëm kur gjuha shqipe të pranohet si një e drejtë universale dhe të largohet nga politika, mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme”, u shpreh Granit Osmani, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës.

Në konferencë, morën pjesë krerë e drejtorë institucionesh, funksionarë e deputetë por edhe profesorë e studiues, të cilët pasi dëgjuan fjalimet e politikanëve, do të duhej të elaboronin kumtesat e tyre shkencore.

Megjithatë, pas pauzës së shkurtër për kafe, funksionarët e braktisën konferencën, pa dëgjuar asgjë nga argumentimet shkencore të studiuesve.

“Shumëfishi i përbashkët është që këto pretendime janë të pathemelta, domethënë s’kan asnjë bazë as në të drejtën kushtetuese as në të drejtën ndërkombëtare thjeshtë kanë një prapavijë politike për të penguar zbatimin e gjuhës shqipe aty ku e parasheh Ligji i Përdorimit të Gjuhëve. Argumentet janë në favor të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve”, theksoi Jeton Shasivari, profesor universitar.

Në organizim, as për simbolikë nuk mori pjesë asnjë figurë e lartë politike, institucionale apo akademike maqedonase, ndonëse në të flitej për çështjen e shqipes, si gjuhë e dytë zyrtare në vend. Mungoi edhe përfaqësuesi i Ministrisë për Marrëdhënie midis Komuniteteve, e cila obligim kryesor e ka zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, ata thanë se nuk janë dërguar ftesa deri te përfaqësuesit maqedonas, pasi që vitet e kaluara kanë refuzuar të marrin pjesë. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme