Largimi masiv i shqiptarëve nga vendi është tashmë një fakt. E thonë edhe shifrat. Disa flasin për 700 mijë njerëz që kanë lënë këtë vend prej rrëzimit të komunizmit me dëshirën për një jetë më të mirë. Një raport i INSTAT i majit të këtij viti nxorri në pah se emigracioni ka shënuar një cikël rritës pas vitit 2017, duke kulmuar në 2021.
Vetëm në këto 4 vite, 33 mijë persona ikën pa kthim. Po sipas INSTAT, në 10 vitet e fundit që kur PS ka ardhur në pushtet janë larguar nga vendi 7.5% e popullsisë apo e thënë ndryshe 213,748 persona. Ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm pas frenimit në periudhën e pandemisë, në 2020-n.
Të gjithë këtë situatë qeveria po tenton ta manipulojë. Teoria e fundit është se “ky është një trend evropian”. Në çdo takim, kryeministri Edi Rama përsërit deri në lodhje se njerëzit nuk largohen vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e tjera të rajonit. Madje sipas tij, ikje ka edhe nga vetë Gjermania.
“…është shumë sipërfaqësore që të thuash “largimet e këtyre 30 viteve po vijnë si rezultat i politikës të degjeneruar” – tha Rama në një takim të mbajtur pikërisht këtë të martë me disa të rinj në Kamzë.
“Asnjë lloj skuadër politike e ardhur dhe nga hëna në këtë vend, nuk do të kishte mundur dot që të mbyllte derën edhe që shqiptarët t’i mbante këtu që të gjithë. Sepse kjo nuk bën sens. Shqiptarët kanë migruar gjithmonë. Nuk është se shqiptarëve iu ndërpre migrimi nga komunizmi. Kjo e para. E dyta, sigurisht që kur vendi është në këtë trend, ndodh një proces humbjeje i një pjese të rëndësishme të burimeve të veta cilësore njerëzore, por kjo nuk ka vetëm anën e keqe, kjo ka dhe anën e mire se po të mos ishin njerëzit që kanë emigruar Shqipëria nuk do kishte ardhur dot gjallë deri këtu, që të jemi të qartë” – u shfajësua kreu i qeverisë.
Pra, sot sipas tij, largimi nga Shqipëria është diçka që nuk mund të frenohet. Por ndryshe thoshte Rama kur ishte në opozitë. Në atë kohë ai bërtiste me të madhe se shkak për largimin ishte qeverisja e keqe.
Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste gjendet ende një fjalim që Rama ka mbajtur në 23 mars 2013 në Korçë. Ishte koha e fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit ku Rama trumbetonte premtimet e “Rilindjes kombëtare”.
Dhe në atë takim Rama citonte se nga vendi iknin 130 shqiptarë çdo ditë.
“…ka dhe një tjetër të dhënë sipas Censusit, jo sipas nesh, që qysh se ky zotëria (Berisha) dhe kjo qeveri u rri mbi krye shqiptarëve me vota të vjedhura, nga Shqipëria ikin çdo ditë 130 vetë. Pse ikin këta nga kjo parajsë e punës dhe e punësimit?! Çfarë shkojnë të gjejnë atje? Shqiptarët e dinë se në Greqi nuk ka punë, as në Itali nuk ka punë, madje shumë nga ata që kanë një punë atje e humbin dhe kthehen këtu për t’u futur në rreshtin e papunësisë në shtëpinë e tyre. Ikin sepse nuk jetojnë dot” – deklaronte Rama.
Tani pllaka është kthyer në anën tjetër.
“Kush thotë se ikja e njerëzve sot nga Shqipëria lidhet me qeverisjen, nuk kupton asgjë. Ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër,”– thotë tani Rama si kryeministër.
Ah… edhe diçka.
Duke lexuar fjalimin e gjatë të Ramës në Korçë të tërheq vëmendjen mes shumë premtimeve (edhe sot pas 10 vitesh të pambajtur) njëri prej tyre. Shëndetësia falas.
“Ata (PD) thonë: çdo gjë është mall dhe blihet. Shëndeti, ke lekë blije. S’ke lekë vdis. Ne themi JO. Shërbime sipas nevojës, jo sipas xhepit. Prandaj shëndetësia kushton, por atë nuk do ta blejë ai që s’ka lekë. Atë do ta bëjë shteti shqiptar dhe përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor. Një institucion i ri që ne do të themelojmë do t’ja ofrojë çdo shqiptari, nga qyteti apo nga fshati, i pasur apo i varfër, nga veriu apo nga jugu, që ka nevojë për kujdesin shëndetësor publik. Ky është qëndrimi ynë për shëndetësinë” – premtonte Rama.
Edhe sot, pas një dekade nuk ka asnjë Shërbim Kombëtar Shëndetësor. Aq më tepër shëndetësi falas…/LAPSI