Gazetari Robert Goro, i ftuar në rubrikën Çështja e ditës, në News 24, foli mbi takimin e Kryeministrit Rama në Greqi me datë 12, duke u shprehur se ai do shoqërohet me forca policore, ashtu sikurse është për të ardhur keq niveli në të cilën ndodhen marrëdhëniet fqinjësore.
Sipas gazetarit, njëra palë do tërhiqet nga këto tensione, pasi të dyja shtetet kanë interesa tek njëra tjetra.
Robert Goro tha se shqiptarët kanë problemin e pensioneve, të lejeve të drejtimit, të mësimit të gjuhës shqipe, probleme këto të cilat kanë nevojë për zgjidhje.
Robert Goro: Do të ketë forca policore që do të mbrojnë kryeministrin shqiptar Edi Rama. Reagimet e Athinës për Belerin sa vijnë dhe bien. Në lidhje me çështjen Beleri, duhet të presim sesi do të shkojë çështja. Raportet mes dy vendeve ndoshta mund të rregullohen me lirimin e Belerit. Është për të ardhur keq që marrëdhëniet shqiptaro-greke ndodhen në këtë nivel. Unë besoj se njëra palë do tërhiqet nga tensionet. Kjo sepse Shqipëria ka interesa në Greqi dhe Greqia ka gjithashtu interesa në Shqipëri. Sido që të jetë politika, njerëzit shkojnë dhe vijnë e ndaj qeveritë besoj se do të ulin tensionet në një moment. Shqiptarët në Greqi kanë problemin e pensioneve, por edhe patentet, është çështja e mësimit të shqipes në Greqi, çështje që kërkojnë zgjidhje.
Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama do takojë emigrantët shqiptarë në Greqi, me datë 12 maj, ora 11:00, në Stadiumin e Galatsit, salla “Christmas Theatre”.
Rama ka marrë disa kundërshtime nga shteti grek mbi ardhjen e tij në këtë datë, pasi kjo e fundit përkon me arrestimin e Belerit një vit më parë.