Teksa Ministria e Mjedisit e drejtoi gishtin ndaj Kurum për eksportin e mbetjeve toksike nga Shqipëria, kjo u përgënjeshtrua nga Dogana Shqiptare, e cila në përpjekje për të gjetur një fajtor nuk ngurroi të bënte përgjegjëse Kosovën.
Edhe kjo e fundit ka përgënjeshtruar institucionet shqiptare, teksa në një reagim të saj në lidhje me anijen me mbetje toksike, çështje për të cilën Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet, thekson se nuk ka bërë eksport të mbetjeve të rrezikshme.
Sipas Doganës së Kosovës, koncentratet e zinkut janë të nxjerra nga miniera e Trepçës dhe janë eksportuar në vazhdimësi.
“Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siq i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça”, thuhet nga Dogana.
Dogana thotë se produkti koncentrat zinku i eksportuar ka përbërje të koncentruar të Zinkut (Zn), Hekurit (Fe), Plumbit (Pb) etj, dhe si i tillë nuk klasifikohet si mbetje. Legjislacioni që rrjedhë nga Konventa e Bazelit për Mbetjet e Rrezikshme aplikohet tek mbetjet dhe jo tek lënda e parë që eksportohet.
“Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, shton dogana. Dogana e Kosovës thotë ka hapur një hetim të gjerë mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha çështjet relevante me këto dërgesa dhe do të mbajë të njoftuar publikun.
© SYRI.net