Zyra e Presidentit të Kosovës i paguan 52 mijë dollarë në muaj kompanisë me seli në Amerikë “Ballard Partners Inc” për konsulencë strategjike dhe shërbime avokuese. Në total, Presidenca do t’i paguajë kësaj kompanie 1 milionë e 248 mijë euro gjatë dy viteve, sa do të zgjasë kontrata e nënshkruar në dhjetor të vitit 2017.
Kjo kontratë është në mesin e dokumenteve që Zyra e Presidentit ia ka shpalosur komisionit hetimor Parlamentar i cili është formuar nga Kuvendi i Kosovës më 1 qershor për hetimin kontratave dhe shpenzimeve të institucioneve të Kosovës për lobim. Ky komision hetimor udhëhiqet nga shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu.
Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dokumente që i janë dorëzuar këtij komisioni hetimor, e ku shihen shpenzimet astronomike për lobim. Në mesin e dokumenteve të siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë janë edhe pagesat që i ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme te kompani të ndryshime të lobimit, që kapin shumën prej 892 mijë euro.
Shpenzimet për lobim të Presidencës
Në komisionin hetimor më 28 shtator kishte raportuar Fehmi Selimi, drejtor i Departamentit të Administratës dhe Buxhetit në Zyrën e Presidentit të Kosovës, lidhur me kontratat, marrëveshjet dhe shpenzimet që kanë lidhje me lobim të Republikës së Kosovës që nga viti 2010.
Ky raportim është bërë me 28 shtator, ndërsa me 2 korrik, kryetari i këtij komisioni Dradan Sejdiu kishte bërë kërkesë në Zyrën e Presidentit për qasje në kontratën për shërbime të lidhur me 22 dhjetor 2017 në mes të Zyrës së Presidentit dhe kompanisë “Ballard Partners Inc” për konsulencë strategjike dhe shërbime avokuese.
‘Ballard Partners Inc’ për shërbimet e kryera deri më tani është paguar nga Zyra e Presidentit 260 mijë e 115 euro e 78 cent.
Sekretaria e Presidencës ia kishte dërguar komisionit hetimor parlamentar këtë kontratë, të cilën e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë. Në këtë kontratë specifikohen detyrat e dyja palëve.
“Detyrat e Ofruesit të Shërbimeve është të konsultohet me Autoritetin Kontraktues dhe të avokoj në emër të tij për ato cështje që Autoriteti Kontraktues i konsideron të nevojshëm dhe të përshtatshëm para qeverisë federale të SHBA-së. Çështjet dhe objektivat mund të përfshijnë, por nuk mund të kufizohen në, zgjerimin e marrëdhënieve SHBA – Kosovë, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, zbatimin e antiterrorizmit të përbashkët dhe përpjekjeve ushtarake, avancimin e iniciativave të rritjes ekonomike dhe shtyrjen përpara të integrimit të Kosovës në struktura evropiane dhe euro-atlantike dhe që kanë të bëjnë me të kaluarën”, thuhet në njërën nga pjesë e kësaj kontrate.
Gjithashtu, sipas kontratës ‘Ballard Partners’ do të marrë nga Zyra e Presidentit 52 mijë dollarë në muaj për këto shërbime. Pagesat duhet të bëhen cdo tre muaj, ndërsa në total janë paraparë 8 këste. Në totale për këtë kontratë janë paraprë shpenzime në vlerë prej 1 milionë e 248 mijë dollar amerikan.
Në po këtë mbledhje, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ishte interesuar të dijë nëse Ministria e Punëve të Jashtme kishte paguar ndonjë aktivitet të lobimit të zyrës së presidentit.
Mirëpo sipas Fehmi Selimit, drejtorit të departamentit për administratë dhe buxhet të Presidencës, kishte deklaruar se nuk e di që ka ndonjë aktivitet lobimi që MPJ e ka paguar për institucionin që drejtohet nga Hashim Thaçi.
Gjatë mbledhjes së këtij komisioni ku raportonte Fehmi Musliu, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ishte interesuar të dijë nëse këto pagesa të lobimeve janë shfrytëzuar nga Presidenti edhe për ta promovuar librin që flet për jetën e tij.
Në transkriptet e Komisionit që i posedon Gazeta Jeta në Kosovë, Vjosa Osmani pyet nëse është bërë ndonjë pagesë nga parat e shtetit për këto promovime.
Mirëpo, Musliu kishte deklaruar se nga buxheti i presidencës nuk ka pasur pagesa të tilla.
Shpenzimet e minsitrisë së Punëve të Jashtme
Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një dokument në formatin exel ku janë të shënuara të dhëna që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka paguar për kompani të ndryshime për lobim.
Një dokument, i cili i ka shkuar edhe Komisionit Hetimor Parlamentar, për shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë tregon për shumën që është shpenzuar për të paguar kompani të ndryshme nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në këtë dokument nuk tregohet se sa është vlera e kontratave të nënshkruara dhe sa janë shpenzimet e bëra deri më tani. Shumica e kontratave, të cilat i ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë janë të nënshkruara për periudhën e vitit 2017.
Këto shpenëzime që janë bërë në emër të ‘shërbime këshillëdhënëse’ ose disa prej tyre ‘shërbime intelektuale këshillëdhënëse’ në total kapin shifrën e afër 892 mijë euro.
MPJ-a thotë se kompanisë “Squire Patton Baggs”, për periudhën korrik-dhjetor 2016, i ka kushtuar buxhetit të Republikës së Kosovës 275 mijë e 33 euro.
Kjo kompani, sipas të dhënave në ueb-faqen e saj zyrtare, në internet është kompani që ofrojnë shërbime ligjore e biznesore.
“Ne sigurojmë njohuri në pikën ku takohen ligjet, biznesi dhe qeveria, duke ju dhënë një zë, duke mbështetur ambiciet tuaja dhe duke arritur rezultate të suksesshme. Ekipi ynë multidisiplinar prej mbi 1,500 juristësh në 47 zyra në 20 vende ofron qasje të pakrahasueshme në ekspertizë dhe lidhje të çmueshme në terren. Është një shërbim i mirë që funksionon në çdo shkallë – në nivel lokal ose global”, thuhet në përshkrimin e punës që kjo kompani i bënë vetës së saj.
Për të njëjtën kompani, MPJ-ja ka bërë një pagesë prej 46 mijë e 898 euro. Kjo pagesë është bërë për periudhën 28 shkurt 2017 deri më 31 dhjetor të vitit të njëjtë, siç thuhet në dokumentin “Shërbime të ndryshme intelektuale këshillëdhënëse”
Ndërsa me kompaninë tjetër, “Cambridge Academy of Flobal Affairs”, MPJ i ka bërë tri pagesa. Dy nga to me këste prej 12 mijë euro, ndërsa njëra me këst prej 16 mijë euro.
Në total kjo kompani ka marrë nga Qeveria e Kosovës, në vitin 2016 dhe 2017, 40 mijë euro për shërbime këshillëdhënëse.
Ndërsa, në buxhetin e kompanisë “ALSTON & BIRD LLP” Qeveria e Kosovës ka derdhur rreth 325 mijë euro vetëm brenda vitit 2017.
Edhe këto mjete janë arsyetuar për shkak të nevoja për këshilla intelektuale.
“Alston & Bird LLP është rritur për t’u bërë një firmë kryesore kombëtare dhe ndërkombëtare ndërkohë që mbetet e zhytur në një kulturë me shërbimin e klientit dhe punën e ekipit si shtyllat e të gjitha gjërave që bëjmë. Ne zhvillojmë, mbledhim dhe edukojmë grupin më të fuqishëm dhe më të gjerë të talenteve dhe ekspertizës ligjore të nevojshme për të plotësuar nevojat e klientëve tanë në një mjedis gjithnjë në ndryshim”, thuhet në profilin që kjo kompani ia ka bërë vetën ueb-faqen e saj në internet.
Dy prej këtyre pagesave me këtë kompani kanë shifra të barabarta me vlerë prej 130 mijë euro. Njëra për periudhën nëntor –dhjetor 2017, ndërsa tjetra për periudhën shtator-dhjetor të po atij viti, 2017.
Në anën tjetër, Gazeta Jeta në Kosovë merr vesh se këtë të hënë, më 29 tetor në këtë komision do të raportojnë, Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit lidhur me kontratën për shërbime e lidhur ndërmjet Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Ballard Partners, Inc.
Gjithashtu në këtë takim është ftuar të jetë prezentë edhe ambasadorja e Kosovës Uashington, Vlora Çitaku.
Sipas rendit të ditës ajo do të raportoj lidhur me kontratat-marrëveshjet dhe shpenzimet që kanë lidhje me lobim të Republikës së Kosovës nga viti 2010.



