Ish-zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për t’u marrë në pyetje lidhur me çështjen e “21 janarit”.
Me datë 23 tetor, ka qenë ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm, lidhur po me të njëjtën dosje.
“Dhashë sqarime si person qe ka dijeni për ngjarjet e 21 janarit. Plani i masave është 50 faqe, nuk mund ti komentoj. Policia ka bërë një plan të detajuar masash për 21 janarin dhe ka zbatuar ligjin. Kam zbatuar ligjin. Nuk kemi pasur asnje urdher per te reaguar. Policia ka duruar dhune ekstrem dhe nuk ka perdorur as arme dhe as dhune ndaj protestuesve. Urdherarrestet jane ekzekutuar ”, tha Burgaj për gazetarët pasi doli nga SPAK.
Me datë 15 korrik, SPAK ka proceduar me regjistrimin e çështjes “21 janari”, për veprat penale:
- -“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79, gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
- -“Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
- -“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK.
Kujtojmë që ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kallëzimin e ka bërë Rajmonda Nika, bashkëshortja e viktimës Aleks Nika. Ajo së bashku me xhaxhain e viktimës, Mark Nika u paraqitën në ambientet e SPAK më 22 korrik për të dhënë dëshmitë e tyre.
Procedimi ka nisur për vrasjen e Aleks Nikës si dhe plagosjen e shtetasve Arbes Dyberi, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.