DOSJA E SHEFAVE XXVII: GRABOVCI: HISTORINË E SHKRUAJ UNË

Adem Grabovci thotë se ai e shkruan historinë. Këtë pretendim ia kishte shfaqur kolegut partiak, Latif Gashi. Por, Grabovci në fakt ka shkruar vendimin e Prokurorisë për ndjekje penale të tij për veprime të paligjshme. Mes këtyre veprimeve është edhe ndikimi që Administrata Tatimore të mos shkonte më tek një biznesmen që ai i referohej si “Profa”. Në serinë e XXVII-të Dosjes së Shefave, Insajderi sjell dy biseda telefonike, të fundit për këtë seri. Një seri e re përgjimesh, pritet të publikohet së shpejti.

Dosja e Shefave XXVII: Grabovci: Historinë e shkruaj unë

Një nga thëniet më të famshme në botë, është thënë nga perandori i Francës, Napoleon Bonaparte.

“Historinë e shkruajnë fituesit”, kishte thënë ai, pas një fitoreje të madhe qindra vjet më parë.

Këtë thënie e ka përdorur edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Churchill.

Shumë vjet më vonë, edhe Adem Grabovci është bërë autor i një thënie për historinë.

“Historinë e shkruaj unë”, thotë ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Këtë pretendim për shkrimin e historisë, Grabovci e thotë gjatë një bisede me bashkëpartiakun e tij, Latif Gashi.

Në fakt, Grabovci ka shkruar diçka tjetër: vendimin për nisje të hetimeve kundër vetës dhe bashkëpunëtorëve të tij për vepra penale. Hetimet kanë nisur javën e kaluar, vetëm disa ditë pasi Insajderi nisi publikimin e këtyre bisedave.

Për më shumë se një muaj, Insajderi ka publikuar mbi 200 biseda telefonike që lidhen me detyrën zyrtare. Këto biseda janë pjesë e një fondi prej më shumë se 1200 bisedash. Gazeta ka përzgjedhur vetëm ato biseda që dëshmojnë shpërdorimin e detyrës, ushtrimin e ndikimit, e veprime tjera të paligjshme.

Në serinë e XXVII të Dosjes së Shefave, Insajderi sjell dy të tilla. Njëra ka të bëjë me “shkrimin e historisë”, e tjetra me angazhimin e Grabovcit për t’ia hequr qafe Administratën Tatimore një biznesmeni të cilin ai e thërret “Prof”.

Vetë Grabovci i kishte thënë Profës se kurdo që i shkon ATK-ja, ta njoftojë atë.

Gjatë kësaj bisede, Profa shpreh dyshime tek një ish-punëtor i tij i quajtur Nazmi, se qëndron prapa dërgimit të inspektorëve.

“Qy se m’lodhen kta…, tatimorët. M’lodhen, n’tona antë um kanë…, spo di me siguri ai Nazmiu, që ka punu përpara ktu, tash osht… Jom mërzitë. M’pate thanë atë ditë kur t’vin thirrum. M’lodhen, n’tona anët m’kanë asi.., krejt, gjithkah, e unë nuk punoj keq. Jom mërzit. Përnime jom mërzitë”, ankohet Profa..

“Jo more….hmm, hajt, hajt duhet mu taku”, thotë Grabovci. Profa ishte i gatshëm që kudo që ndodhej Grabovci, të shkonte për të biseduar.

“Po veç… thirre dikon, thirre dikon. E di që je n’lëvizje, se t’kom pa edhe n’gazetë, e n’televizion, e krejt, po kqyr thirre dikon le tum largohen prej ktuhit, se o problem. Problem. S’po di…”, kërkon Profa nga Grabovci.

“Okej. Po ta jap fjalen për 10 minuta edhe…”, zotohet Grabovci.

“Hajt, falemineres”, shton Profa.

Në bisedën për “historinë”, Latif Gashi i telefonon Grabovcit për ta pyetur se a e kishte parë në lajme konferencën e tij.

“A e ngove konferencën që e pata”, e pyet Gashi, teksa Grabovci thotë se jo.

“Vallahin, e kom hjek maskën edhe dola. Thash, qishtu, mos përgjegjësi e Grupit Parlamentar, edhe, le të gjykon historia ma vonë”, thotë Gashi.

“Hahahaha…, ohohohoh… Historinë e shkruj unë”, ia kthen Gabovci. “S’e shkrun tjetër kush”.

“Kush e shkrun historinë”, e pyet Gashi.

“Unë, unë”, insiston Grabovci.

“Ai, valla menxi s’kanë prit që m’kanë pa aty, uh… se kanë menue që veç Nait Hasani del, e osht patriot”, shton Gashi.

Ndërkohë, Grabovci interesohet nëse kishte dalë në lajme edhe ai. Thotë se kishte dhënë një prononcim.

“Jo…, se ty, s’po t’hanë palla hiç”, thotë Gashi, teksa e kritikon Grabovcin se nuk doli mirë ajo që kishte ndodhur në Kuvend.

“Kryeparlamentari, i ka thirr grupet parlamentare… edhe…, u votu ligji për vlera t’luftës. Ai Rexhep Selimit, i kanë dhanë rëndësi ma t’madhe. Edhe, n’qofse ai, për me…, ka mjete po s’ka pas vullnet politik edhe qashtu. Jom met veteran. I dhanë rëndësi shumë”, thotë Gashi.

 

Biseda e parë, 01.12.2011

Grabovci: Alo.

Profesori: Mirëdita, t’lodha tu t’thirr sot…

Grabovci: Alo.

Profesori: T’lodha tu t’thirr, po jom …

Grabovci: Jo more, çfarë t’lodhni, si je a je mirë?

Profesori: Po mirë, po e di që je…

Grabovci: Ça i ki puntë?

Profesori: Je me shumë punë qitash. Qy se m’lodhën kta…, tatimorët, m’lodhen, n’tona anët um kanë…, s’po di me siguri ai Nazmiu, që ka punu përpara ktu, tash osht (nuk kuptohet). Jom mërzitë e m’pate thanë atë ditë kur t’vin, thirrum. M’lodhen, n’tona anët, m’kanë asi, krejt, gjithëkah, e unë nuk punojë keq. Jom mërzit. Përnime jom mërzitë.

Grabovci: Jo more….hmm, hajt, hajt duhet mu.. mu taku.

Profesori: Jo unë ku t’dush vi, s’o problem. Po m’lodhën, ma mirë për shembull…

Grabovci: Sot, sot, jo prof, se jom n’lëvizje.

Profesori: Po veç… thirre dikon, thirre dikon. E di që je n’lëvizje, se t’kom pa edhe n’gazetë, e n’televizion, e krejt, po kqyr thirre dikon le tum largohen prej ktuhit, se o problem. Problem. S’po di…

Grabovci: E kush, e kush osht aty, kush osht…, me t’Pejës a?

Profesori: Jo, jo, t’Prishtinës. S’kem punë me t’Pejës na. Me t’Prishtinës.

Grabovci: Ëhë. Okej, prof.

Profesori: Ma mirë (nuk kuptohet) edhe ti se…

Grabovci: E kush munet, munet aty me…?

Profesori: E…, ku me ditë unë kush munet.

Grabovci: Hajt, hajt.

Profesori: Ti m’pate thanë atë ditë, kur t’vin thirrum…

Grabovci: Hajt prof. Hajt prof. Hajt prof. U bo.

Profesori: U bo thirrum (nuk kuptohet) çka po bajmë pra.

Grabovci: Okej. Po ta jap fjalën për 10 minuta edhe…

Profesori: Hajt, falemineres.

Grabovci: Tung.

 

Biseda e dytë

Latif Gashi: A e ngove?

Grabovci: A?

Latif Gashi: A e ngove konferencën që e pata?

Grabovci: Jo tybe.

Latif Gashi: Seriozisht?

Grabovci: Seriozisht jo.

Latif Gashi: Vallahin e kom hjek maskën edhe dola, thash, qishtu, mos përgjegjësi e mos Grupit Parlamentar, edhe le t, le te gjykon historia ma vonë.

Grabovci: Hahahaha…, ohohohoh…

Latif Gashi: Ani.

Grabovci: Historinë e shkruj unë.

Latif Gashi: Hohoho…

Grabovci: S’e shkrun tjetër kush.

Latif Gashi: Kush e shkrun historinë?

Grabovci: Unë, unë.

Latif Gashi: Ai, valla menxi s’kanë prit që m’kanë pa aty, uh… se kanë menue që veç Nait Hasani del, e osht patriot.

Grabovci: Qysh kalove? Mirë je me shëndet?

Latif Gashi: Mirë, me shëndet vallain.

Grabovci: A i përcjelle lajmet?

Latif Gashi: A?

Grabovci: Lajmet a i pave?

Latif Gashi: Jo.

Grabovci: Se hala, s’kom mujt me shku n’shpi.

Latif Gashi: Jo…

Grabovci: Pashë besën jo.

Latif Gashi: Jo…, se ty, s’po t’hanë palla hiç.

Grabovci: A…, e qiti qat prononcim temin?

Latif Gashi: Jo, nuk qiti kurgja jo, veç nuk dul mirë ajo.

Grabovci: Kush?

Latif Gashi: Nuk dul mirë, nuk dul mirë. Dulen meritat e kryeparlamentarit edhe qashtu.

Grabovci: Për?

Latif Gashi: Që kryeparlamentari, i ka thirr grupet parlamentare… edhe…, u votu ligji për vlera t’luftës. Ai Rexhep Selimit, i kanë dhanë rëndësi ma t’madhe. Edhe, n’qofse ai, për me…, ka mjete po s’ka pas vullnet politik edhe qashtu. Jom met veteran, i dhanë rëndësi shumë.

Grabovci: Okej. U bo.

Latif Gashi: Hajt.

Grabovci: Hajt./Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme