Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka sqaruar situatën e krijuar nga një grup personash që kanë qenë të uniformuar në veri të Kosovës.
Maxhuni që ka raportuar në Komisionin për Siguri të Kuvendit të Kosovës është pyetur nga deputetët se çka kanë qenë ushtrimet dhe kanë kërkuar sqarime shtesë.
Ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Maxhuni ka thënë se këta njerëz kanë qenë një OJQ ‘Airsoft Club’ dhe kanë pasur aktivitetin “Operation Fenix Kosovo 2016”, që sipas tij ka qenë gjithçka legale.
“Dukjet e njerëzve të uniformuar dhe të armatosur. Organizatë joqeveritare e cila i përket shoqërisë sportive dhe qëllimi i saj ka qenë të promovojë disiplina sportive. Organizata operon në veri të Mitrovicës, del se ky person nuk është i regjistruar në sistemin e policisë së Kosovës si person që ka rënë ndesh me procedura ligjore. Janë banorë të Kosovës, Mitrovicës veriore të gjithë anëtarët”, ka thënë Muaxhuni, raporton lajmi.net.
Ai ka thënë se mjetet e përdorura janë pajisje që nuk janë armë dhe janë blerë në një market të Prishtinës.
“Mjetet që përdoren janë pajisje përsëritëse dhe nuk janë armë, këto pajisje shfrytëzojnë sfera plastike si municion për qëllime sportive. Kjo organizatë është në MAPL ka numrin fiskal. Nga informacionet e verifikuara njësitë e policisë kanë konstatuar se pajisjet që përdoren janë pajisje që janë blerë në një market në Prishtinë. Uniformat pra që janë bërë publike, dhe janë në pronësi të secilit person. Kemi specializuar dhe kemi parë që duken si armë, po që nuk shërbejnë si armë zjarri. Mbahen personalisht nga secili anëtarë i këtij klubi Ditën e mbajtjes së aktivitetit, policia ka qenë prezentë. Aktiviteti është mbajtur gjatë muajit gusht të viti 2016. Kanë qenë dy policë që kanë qenë të autorizuar ta monitorojnë aktivitetin, dokumenti me vulën e Kosovës. Ai dokument kanë qenë njoftues i asaj organizate”, ka thënë Maxhuni.