Droga për në Serbi: Intervistohet polici nga Mitrovica që ishte kapur edhe me armë

Nexhip Gashi në kohën kur ishte epror i Policisë në Mitrovicë ishte arrestuar në kufirin me Shqipërinë, pasi iu kishin gjetur disa armë. Ai ishte suspenduar një kohë pasi ishte dyshuar se bënte pjesë në rrjetin që bartte armë për në Serbi.

I njëjti person para pak kohësh u intervistua nga kolegët e tij për një rast të kapjes së drogës, ku ishin arrestuar dy policë të tjerë, njëri prej të cilëve ishte Shemsedin Geci.

Siç mëson gazetametro.net nga burime brenda Policisë, Nexhip Gashin e kanë intervistuar Njësiti Anti-Drogë në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin e kapjes së 10 kg drogë në korrik të vitit të shkuar. Intervistimi ishte bërë para rreth tri javësh.

Mësohet se akoma nuk është faktuar se Gashi ka qenë i lidhur direkt me personat që bartnin drogën, por burime brenda Policisë tregojnë për afërsi dhe punë të përbashkët të këtyre personave.

Edhe Metro kishte raportuar në korrik të 2017 për shkatërrimin e rrjetit kriminal ku bënte pjesë Nexhip Gashi, e të cilët transportonin drogë e armë nga Shqipëria në Serbi, por duke kaluar nëpër Kosovë.

Nexhip Gashi ka qenë ushtar i UÇK’së e tash është veteran, dhe kishte qenë edhe shok lufte me Shemsedin Gecin, i cili është kapur me drogë në veturë në korrik të vitit të shkuar.

Metro kishte raportuar për kapjen e kësaj droge më 13 korrik, ku ishin arrestuar Shemsedin Geci dhe Valon Malaj, të cilët janë nga Skënderaj, vend prej nga vjen edhe Nexhip Gashi i cili u intervistua për këtë rast.

Ndryshe, të dy të arrestuarit për këtë rast ishin deklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ani pse ishin zënë në flagrancë teksa vozisnin veturën që mbante 10 kg drogë./gazetametro.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme