Ushtria e Kosovës është pajisur me dronët Bayraktar, për të cilët muaj më parë Ministria e Mbrojtjes kishte nënshkruar kontratë me një kompani prodhuese në shtetin e Turqisë.
Siç mëson Telegrafi, dronët kanë arritur gjatë dy ditëve të kaluara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe për këtë kishte edhe prani të shtuar të Forcës së Sigurisë në zonën VIP të Aeroportit.
Lidhur me ardhjen e dronëve në Kosovë kanë shkruar edhe mediat tjera.
Fillimisht Telegrafi nuk ka arritur të kontaktojë me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, ndërkaq më vonë nga kjo Ministri theksuan se FSK është në fazën e dytë të implementimit të Planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe me prioritet ka ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, këtu duke përfshirë edhe investimin në pajisjet më moderne ushtarake.
“Për këtë është duke u punuar pandërprerë, ngase synimi ynë është avancimi i ushtrisë në nivelin e standardeve të NATO-s”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndryshe, presidentja e vendit Vjosa Osmani vitin e kaluar kishte vizituar fabrikën e dronëve “Bayrakar”.
“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Bayaktar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, kishte deklaruar Osmani