Durmishi kërcënon “mediat e pushtetit të Klanit Pronto”

Anëtari i Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, ka kërcënuar rëndë mediat, siç i ka quajtur ai të pushtetit të Klanit Pronto.

“Ju media të pushtetit a po mendoni ndonjëherë që i vie fundi edhe këtij pushteti kriminal. I vie fundi edhe këtij pushteti të Klanit Pronto. Do të ju vie fundi edhe juve bashkë me ta. Mos mendoni se harrojmë. Më e pakta që duhet ta mendoni është që zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg o kriminel. Mos na lëndoni më shumë o të pështirë. Nuk ju falim kurrë kriminelë!”, ka shkruar Durmishi në profilin e tij në Facebook.

Mbrëmë, në disa media vendore u publikuan videoincizimet nga kamerat e sigurisë në Burgun e Prizrenit, ku po qëndronte në paraburgim aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari. Ai vdiq, tash për tash, në rrethana të paqarta. Rezultatet e para të raportit të autopsisë flasin për vdekje nga asfiksia, e ato përfundimtare ende nuk kanë dalur.

Dehari po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm me armë ndaj Kuvendit të Kosovës, bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së. Dy prej tyre mbeten në paraburgim, e pesë në arrest shtëpiak.