Dy rrëfime kontradiktore të Dardan Molliqajt për Astrit Deharin (Video)

Lëvizja Vetëvendosje, përmes sekretarit organizativ Dardan Molliqaj, po dështon të krijojë alibi për vendndodhjen e aktivistit të vdekur të VV’së, Astrit Dehari, në natën e 4 Gushtit kur u sulmua me granatahedhës Kuvendi i Kosovës. Për më tepër, Molliqaj po del kontradiktor gati sa herë po provon të dëshmojë se Dehari dhe 5 aktivistët tjerë nuk kanë lidhje me sulmin terrorist për të cilin po dyshohen se e kryen. Pse Molliqaj fillimisht tha se Dehari ka qenë në banesën e tij, kurse tash thotë se Dehari ka qenë në një lokal?

Pak ditë pas arrestimit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nën dyshimet se kryen sulmin me raketahedhës në objektin e Kuvendit të Kosovës, një orë para mesnatës së 5 Gushtit, Sekretari Organizativ i kësaj lëvizjeje, Dardan Molliqaj në një intervistë televizive kishte treguar një version të tyre për vendndodhjen e 6 të arrestuarve, në natën e sulmit, saktësisht në përudhen kohore kur ndodhi rasti.

Por, pas tragjedisë së para një muaji në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku vdiq aktivisti i arrestuar, Astrit Dehari, që sipas autoritete kosovare u vetëvra, Molliqaj sërish ka dalë me alibi për sulmin që ndodhi në Kuvend, verën e këtij viti.

Derisa disa ditë pas arrestimeve Molliqaj deklaronte se i ndjeri Astrit Dehari në kohën e sulmit në Kuvend ndodhej në banesën e tij në rrugën “Muharrem Fejza” të Prishtinës, e që sipas tij këtë mund ta dëshmonte edhe bashkëshortja e 26 vjeçarit, Arta Boshtraj.

“Ky është Astrit Dehari….Vendndodhja në kohën që ka ndodh sulmi është banesa e tij, rruga “Muharrem Fejza” lagja e Spitalit, dëshmitar përveç kamerave të sigurisë është Arta Boshtraj, që është bashkëshortja e tij, po ne po i heqim dëshmitarët, kërkesa jonë është kamerat e sigurisë në orën e caktuar, që policia i siguron me urdhër të prokurorit le të shkon le ti merr, dhe kanë me vërtetu që Astrit Dehari në këtë kohë ka qenë në banesë. Në ora kaq ka hy në banesë dhe në ora kaq ka dal prej banese, kaq, ai s’ka mujt me fluturu”, pati deklaruar Molliqaj në intervistën e parë të tij, pak ditë pas arrestimeve.

I njëjti, të enjten e javës së kaluar prezantoi një alibi të re, që provoi ta faktojë edhe me një video incizim, shkruan Gazeta Express. Çuditërisht, të hënën, kjo video nuk ekziston në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje, në facebook, ku ishte publikuar pas konferencës.

Tash, sipas fakteve të VV’së, Astrit Dehari del se nuk ishte në banesë paramesnatën e 4 Gushtit, por ndodhej në një dyqan në rrugën e lagjes ku ai banon. Madje, sipas videos që Molliqaj ua prezantoi të enjten mediave, Dehari ishte i shoqëruar nga Adea Batusha. Sipas kësaj video, që të dy kishin dalë së bashku nga banesa e Deharit dhe kishin shkuar në një dyqan në këtë lagje, pikërisht në kohën kur ka ndodhur sulmi në Kuvend.

E apostrofuara e fundit, Adea Batusha është po ashtu e bashkëdyshuar me Deharin dhe të tjerët për organizim dhe kryerje të sulmit e cilësuar si terrorist. Edhe ajo vetë kishte prezantuar një pasqyrim të vendndodhjes së saj, krejt tjetër nga kjo që tash po prezanton partia që drejtohet nga daja i saj Visar Ymeri.

Batusha kishte prezantuar edhe vetë një pasqyrë të vendndodhjes së saj krejt tjetër, nga kjo që tash po prezanton partia që drejtohet nga daja i saj Visar Ymeri.

Në një intervistë dhënë nga arresti shtëpiak, Adea Batusha pati thënë se në momentin kur ndodhi sulmi në Kuvend ajo ishte duke pirë kafe në lagjen e spitalit, por duke mos përmendur fare Astritin. E as që ishte vizitore në banesën e tij, e që kishin dalë bashkë deri në dyqan.

Alibinë e Adeas e tregonte edhe sekretari organizativ i LVV’së, në intervistën e datës 29 Shtatorit 2016. Ai atë kohë asnjëherë nuk potencoi se Batusha ishte duke e shoqëruar Deharin në një dyqan, pasi thoshte se ky i fundit ishte në banesën e tij i shoqëruar vetëm nga gruaja e tij.

Për Batushën ai thoshte si ishte duke pirë kafe në lokal.

Objekti i Kuvendit të Kosovës, që ndodhët në qendër të kryeqytetit, natën e 4 Gushtit ishte sulmuar me një granatë hedhës, nga dy persona. Për këtë sulm, policia në fund të gushtit kishte arrestuar gjithsej 6 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Tre prej tyre ishin ndalur në paraburgim. Aktualisht Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi vazhdojnë të mbahen në paraburgimin e Lipjanit, ndërsa Astrit Dehari ka vdekur javë më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe zëdhënësi i VV’së, Frashër Krasniqi dhe mbesa e kryetarit Visar Ymeri, Adea Batusha, të cilët mbahen në arrest shtëpiak. I fundit, Petrit Ademi është liruar në procedurë të rregullt.

Gjashtë të dyshuarit, mëngjesin e 30 gushtit ranë në duart e Policisë së Kosovës, pas bastisjeve që u kryen në shtëpitë e tyre, ku u gjeten edhe një arsenal armësh të ndryshme automatike.

Më shumë se dy muaj pas arrestimit dhe mbajtës në paraburgim, njëri prej të dyshuarve u vetëvra, sipas raportit të autopsisë, në Qendrën e Paraburgimit ku po mbahej, në Prizren.

I ndjeri, Astrit Dehari në kallximin penal të policisë tregohet derisa ka blerë motorin të cilin policia natën kur u krye sulmi në Kuvend, e kishte gjetur të djegur, e që dyshohet se ishte përdorur nga sulmuesit për të kryer aktin terrorist.

Në pamjet e policisë, shihen edhe dy të arrestuarit tjerë Atdhe Arifi dhe Egzon Halili, që e shoqëronin Deharin gjatë kohës kur pretendohet se blenë motorin ngjyrë të kuqe, afër një qendre tregtare në zonën industriale të Prishtinës.

Në kallximin penal të policisë, pretendohet se Adea Batusha ishte personi që kishte blerë një telefon në tregun e zi, në qendër të kryeqytetit, që sipas Policisë faktohet edhe me fotografi që kanë nxjerrë nga disa kamera të sigurisë që ndodhen në sheshet kryesore të Prishtinës. Ky telefon, më pas, në kallxim penal thuhet se u përdor nga blerësja Batusha dhe zëdhënësi i VV’së, Frasher Krasniqi që të dërgojnë një e-mail ku pranohej përgjegjësia e sulmit nga një grup fiktiv të ashtuquajtur ‘Rogovasit’. Mesazhi u ishte dërguar mediave, një ditë pas sulmit. Sipas policisë, pasi janë hetuar IP’të nga ku u dërgua e-mail’i, ka rezultuar se ka ardhur nga adresat e internetit afër banesës së Krasniqit, pikërisht nga telefoni që e kishte blerë Batusha.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme