Gazetar: Suad Bajrami
Sekretari i partisë së VLEN-it Bekim Sali në ceremoninë e 2 vjetorit të qeverisjes pranoi se VLEN ka dështuar t’i realizojë 20 premtime kyçe të programit zgjedhor, me të cilat garoi në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në konferencën për shtyp, Alsat ia numëroi premtimet duke filluar nga ndryshimi i kushtetutës, barazinë e plotë të gjuhës shqipe me maqedonishten, ndryshimin e Ligjit për Festat Shtetërore, përdorimin e himnit dhe stemës shqiptare nëpër shkolla e institucione, ndarjen nga 10 mijë për çdo qytetar, krijimin e Bankës Shqiptare, Akademinë Shqiptare, Mbarimi e rrugës Tetovë – Prizren për dy vjet, ndërtimin e Portit të thatë në Strugë, pensione për personat që nuk kanë pasur sigurim, kredi me zero kamatë për çiftet e reja që dëshirojnë të blejnë banesë, karton të gjelbër 1 euro, lojëra panshqiptare, erasmus shqiptar, heqjen e 20%, dëmshpërblim për të përndjekur politik dhe hapjen e dosjeve jugosllave, ligj për veting, ndarjen e Maqedonisë në tetë njësi zgjedhore, por edhe krijimin e një Gjykate që do të merret me problemin e punëtorëve.
Sali, pranon që asnjëra prej këtyre s’është realizuar, por thotë se përveç këtyre 100% të programit e kanë realizuar.
“Aty sa pika keni? 20. Domethënë 20 pika tani do të lexoni edhe 20 tjera të cilat nuk janë të shkruara, por janë të realizuara që nënkupton se ne brenda 20 viteve kemi realizuar diçka bile edhe jashtë programit tonë.Me të cilën mburremi. Kjo i bie 100% jashtë kësaj liste që i numëruat ju dhe ne i qëndrojmë këtij programi për arsye se është e jona dhe në afat 4 vjeçar ne duhet të realizojmë dhe do të japim raportin tonë para qytetarëve në momentin kur do të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare”, tha sot Bekim Sali.
Megjithatë, ndonëse Sali thotë se 100% të pjesës së mbetur të programit e kanë realizuar, edhe kjo nuk është e vërtetë. Alsat do t’i numërojë edhe një sërë projektesh të tjera jashtë këtyre njëzetëve që Sali pranoi se nuk janë realizuar.
Për shembull, nuk e kanë formuar Ministrinë për Diasporën, nuk kanë formuar Këshill Kombëtar së bashku me Shqipërinë dhe Kosovën që do të përfaqësohej nga shqiptarë nga të gjitha trojet. Nuk është realizuar premtimi për shtesa për fëmijët nga 1.000 denarë në muaj, nuk janë bërë kurikulat arsimore të njëjta me Shqipërinë dhe Kosovën, s’ka kontrolle shëndetësore falas për qytetarët, nuk ka kutoa 40% për gratë në pozitat e emëruara, por nuk ka as organizim të bujqve në shoqata e kooperativa, siç kishte premtuar VLEN-i.
Dhe këto janë vetëm një pjesë e dhjetëra premtimeve tjera që nuk i kanë realizuar.
Megjithatë Sali, mburret me hartimin e disa ligjeve, por edhe punësimeve për të cilat nuk japin të dhëna se në cilat institucione janë bërë.
“Në këtë pako të arritjeve të VLEN-it është realizimi i ligjit për jurisprudencës, është ligji për medresenë, janë hapja e mbi 250 kompanive të reja të nxitura nga rinia, pastaj janë avancimi dhe punësimet e shqiptarëve, mbi 2500 të punësuar në administratën publike, janë investime të cilat padyshim janë të fokusuar në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut që konsiderohen me vlerë 3 miliardë euro, kemi mbi 308 projekte të realizuara në komunat shqiptare”, tha Bekim Sali.
Për hir të vërtetës, Ligji për Përfaqësim të drejtë një vit e gjysmë nuk është sjellë dhe ndodhet edhe në procedurë kuvendore, ndërsa nuk dihet nëse do të miratohet meqë opozita ka paralajmëruar bllokadë dhe e quan ligj skandaloz. Ndërkohë dhjetëra premtime ka për provimin e jurisprudencës në shqip për çka protestuan studentët shqiptar. Megjithatë zgjidhja ligjore nuk është promovuar, ndonëse u paralajmërua. Edhe ajo zgjidhje do të jetë gjysmake, respektivisht teoria do të jetë në shqip, kurse praktika në maqedonisht. Apo siç është thënë në opinion “pak shqip pak maqedonisht”. /Alsat.mk.
The post Dy vjet VLEN në Qeveri, Sali pranon dështimin në 20 premtime kyçe, mburret me propozim-ligje appeared first on Alsat.




