Dy me një janë votat që kanë mundësuar kthimin në rigjykim të procesit gjyqësor ndaj Enver Sekiraçës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit, Triumf Riza.
Trupi gjykues në Gjykatë të Apelit, i përbërë prej dy gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe një vendor kanë pasur mendime të ndara rreth rastit “Sekiraça”.
Bazuar në vendimin, të cilin e posedon “Koha Ditore”, kryetarja e kolegjit, Elka Fiolcheva- Ermenkova dhe Mejreme Memaj kanë ardhur në përfundim se ky rast duhet të rigjykohet, pasi kanë konstatuar se shkalla e parë nuk ka bërë përshkrimin faktik të veprës penale për të cilën akuzohet Sekiraça – atë të nxitjes së vrasjes.
Ndërkaq, anëtarja tjetër, Anna Adamska Gallant nuk është pajtuar me vendimin për rigjykim. Ajo ia ka bashkangjitur vendimit një mendim të ndarë.