Dymbëdhjetë vite më parë, në afërsi të liqenit të Smilkovës ndodhi rasti i njohur si “Monstra” në të cilin u vranë pesë persona, Filip Sllavkovski, Aleksandar Naçevski, Cvetanço Ackovski, Kire Tërpkovski, si dhe peshkatari Borçe Stevkovski.
Për këtë rast me burgim të përjetshëm janë dënuar Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq. I akuzuari Fejzi Aziri mori 15 vite burg, ndërsa Haki Aziri 9 vite. Derisa në mungesë të provave, i akuzuari Sami Luta u lirua nga akuzat.
Gjyqi për rastin “Monstra” filloi më 20 dhjetor 2012. Në qershor 2014, gjashtë të akuzuar u dënuan me burgim të përjetshëm. Më 24 nëntor 2017, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin dhe e ktheu procesin në rigjykim dhe të dënuarit u liruan nga paraburgimi.
Rihapja e lëndës pasoi pas publikimit të materialeve të përgjuara, të ashtuquajturat “bomba” në vitin 2015. Rastin atëherë mori Prokuroria Speciale Publike (PSP) dhe rigjykimi filloi nga fillimi në maj të vitit 2018. Ndërkohë, PSP-ja u shfuqizua, por të njëjtët prokurorë vazhduan ta trajtonin lëndën.
Pas dhënies së dënimeve, pesë të dënuarit për çështjen “Monstra” bënë ankim, por Gjykata e Apelit në shtator 2022 i hodhi poshtë si të pabazuara dhe vërtetoi vendimet e shkallës së parë.
Protestat u organizuan nga familjarët e të dënuarve, ndërsa politikanët dhe subjektet politike paralajmëruan hetim ndërkombëtar për rastin.
Të dënuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë në arrati në Kosovë, ndaj tyre është lëshuar fletarrestim, por nuk janë ekstraduar në Maqedoninë e Veriut.