DYSHIMET E EULEX-IT PËR NDIKIMIN E ASTRIT HARAQISË NË DËSHMITARË

Insajderi në serinë e njëmbëdhjetë të Dosja Grande sjell dëshmi që tregojnë për kontaktet e shpeshta të politikanit Astrit Haraqija me dëshmitarët e EULEX-it, në procesin penal kundër grupit të udhëhequr nga Ukë Rugova.

Astrit Haraqija dikur kishte marrë besimin e ish-presidentit Ibrahim Rugova për ta  udhëhequr Ministrinë e Kulturës.

Por, disa vjet pas vdekjes së ish-presidentit, Haraqija dyshohet se kishte marrë besimin për të kryer një punë jo të ndershme.

Kryerja e kësaj detyre nuk parashihte rol udhëheqës për të.

Dyshohet se Ukë Rugova i kishte besuar që të vepronte vetëm si një sekser i tij në biznesin e shitjes së vizave.

Haraqija akuzohet se kishte siguruar për Ukë Rugovën klientë që kërkonin viza italiane.

Ai akuzohet se kishte ndërmjetësuar në gjetjen e klientëve nga korriku i 2012-ës deri në shkurt të vitit 2014 dhe ishte shumë mirë i informuar për veprimtarinë kriminale të grupit.

“Roli i Astrit Haraqisë ishe për të siguruar klientët për grupin. Dëshmitarë të shumtë kanë dhënë prova se ai ishte duke rregulluar viza italiane Shengen për ta”, thuhet në aktakuzë.

Haraqija pohon se ka ndihmuar pa para tetëdhjetë veta nga Gjakova dhe se ngjashëm kishte ndihmuar njerëzit edhe sa ishte gjallë presidentit, Ibrahim Rugova.

Por, i akuzuari Haraqija është një prej anëtarëve të Grupit të Ukë Rugovës që përbente problem për hetuesit e EULEX-it.

Kishte kontakte të shpeshta me dëshmitarët e ftuar për intervistim, të cilët ishin pajisur me viza.

Brenda më pak se një muaji kishte biseduar 14 herë me një prej dëshmitarëve të ftuar për intervistim nga hetuesit e EULEX-it.

I kontaktuari nga Haraqija nuk ishte shfaqur në zyrat e EULEX-it, në ditën kur ishte paraparë të dëgjohej dëshmia e tij.

Dëshmitari i kontaktuar shpesh nga Haraqija kishte refuzuar intervistimin nga hetuesit e EULEX-it

Insajderi ka siguruar raportin e hetuesve të EULEX-it lidhur me përgjimin e numrit të telefonit të përdorur nga Astrit Haraqija. Ky raport, më 7 maj të vitit 2015 i është dorëzuar prokurorit, Allan Cansick.

Aty tregohet për kontaktet e shpeshta të Haraqisë me njerëzit që janë ftuar nga EULEX-i për të dëshmuar lidhur me biznesin e shitjes së vizave italiane, përkatësisht për mënyrën e sigurimit nga ana e tyre të vizave italiane.

“…është vërejtur se ekziston një lidhje në mes të Astrit Haraqisë dhe F-së, dëshmitarë në të njëjtin rast. Atij më 23.04.2015 Policia e Kosovës i ka dërguar thirrjen për t’u intervistuar nga ana e NjHKO-së-EULEX, por ai pa ndonjë arsye legjitime nuk është paraqitur në intervistë, që ishte caktuar të mbahet më 29.04.2015”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, ky raport thekson se “Në bazë të analizës së trafikut të thirrjeve telefonike, është vërejtur se ky numër telefoni (i përdorur nga Astrit Haraqija) ka kontaktuar disa herë (14 lidhje/kontakte në mes të datës 12.03.2015 dhe 04.05.2015 i përdorur nga dëshmitari F)”.

Bazuar në këtë raport, përmbajta e këtyre bisedave tregon një miqësi mjaft të fortë në mes të këtyre të dyve, por nuk tregon asgjë të rëndësishme për hetimet që po zhvillohen.

Fakti që gjatë bisedave telefonike nuk ishte biseduar lidhur me procesin hetimor për shitjen e vizave, kishte pamundësuar që prokurori i EULEX-it të procedonte me akuzë kundër Haraqisë për ndikim në dëshmitarët e këtij procesi.

Megjithatë, bazuar në këtë raport, Haraqija kishte kontaktuar nëpërmjet telefonit edhe me një dëshmitar tjetër. Madje, 74 herë brenda një muaji e gjysmë.

Megjithatë, dëshmitari ishte paraqitur në ditën kur ishte ftuar për intervistim nga hetuesit e EULEX-it.

Haraqija kishte kontaktuar edhe me dëshmitarë tjerë. Me një prej tyre kishte folur nëntë herë brenda dy ditësh nëpërmjet telefonit.

Dyshime nga hetuesit e EULEX-it lidhur me ndikimin në dëshmitarë nga Astrit Haraqija ishin shtuar edhe kur kishin intervistuar njërin prej tyre në prill të 2015-ës.

“Qëndrimi qëllimkeq i dëshmitarit SH, në këtë rast, u shfaq gjatë zhvillimit të intervistës së tij. Gjatë intervistës SH foli për Haraqinë dhe deklaroi si në vijim: “Unë nuk mund t’ua jap numrin e tij sepse ai e ka ndërruar numrin që nga ajo kohë. Nuk e di numrin e tij të tanishëm. Kur atij i nevojitet diçka nga unë, ai më  kontakton mua”, theksohet në raportin e siguruar nga Insajderi, i cili është pjesë e “Dosja Grande”.

Bazuar në këtë raport, hetuesit e EULEX-it nuk përjashtonin mundësinë që politikani Haraqija fliste me dëshmitarët para se ata të intervistoheshin nga EULEX-i.

“Në lidhje me këtë, është e rëndësishme të ceket që bashkëbiseduesi i Haraqisë në fillim të prillit është thirrur nga hetuesit e EULEX-it që të jap deklaratën e dëshmitarit për rastin Grande, me 15.04.2015. Ne nuk mund të përjashtojmë një lloj takimi para intervistës në mes Haraqisë dhe personave të tjerë nga Gjakova para intervistave me hetuesit e EULEX-it”, theksohet në raport.

Haraqija: Po, kam biseduar me dëshmitarët

Politikani Haraqija ka qenë i dënuar më herët për ndikim tek dëshmitarët.

Ishte dënuar me pesë muaj burgim Tribunali i Hagës, Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi.

Ai bashkë me gazetarin Bajrush Morina, ish-këshilltarë i tij, ishin gjetur fajtor për akuzat për frikësim dhe presion ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, lidhur me dyshimet për ndikim edhe tek dëshmitarët e biznesit me viza italiane, Haraqija, në maj të vitit 2015, kishte dhënë versionin e tij se pse fliste shpesh me dëshmitarët që duhej të intervistoheshin nga EULEX-i.

Kishte thënë se e kishte bërë nga kureshtja dhe se iu kishte sugjeruar ta thoshin vetëm të vërtetën.

“Vetëm pasi ka ndodhur problemi  (pas bastisjes së shtëpisë së Ukë Rugovës)  u takova me njerëz nga Gjakova. Unë kam qenë kurioz dhe i pyeta lidhur me vizat, dhe i pyeta nëse dikush i pyeti ata për para, madje edhe kur ju i keni thirrur ata këtu si dëshmitarë, ka pasur njerëz që më kanë telefonuar dhe më kane thënë: “EULEX më thirri këtu për vizat”. Unë u kam thënë atyre te thonë  vetëm të vërtetën”, kishte thënë Haraqija para hetuesve të EULEX-it.

Haraqija kishte shtuar se nga njerëzit që ishin intervistuar nga EULEX-i ishte i interesuar të njoftohej nëse ishte përmendur emri i tij.

“Unë kam qenë i interesuar të di nëse dikush ka manipuluar me emrin tim, unë kam qenë i interesuar të di nëse dikush i pyeti ata për para në emrin tim”, kishte pohuar Haraqija duke shtuar se njerëzit me të cilit kishte kontaktuar e kishin garantuar se nuk ishte përmendur emri i tij.

Haraqija ishte paraqitur për intervistim edhe në qershor të 2015-ës. Kishte thënë se dëshiron të mbrohet në heshtje dhe se nuk do të përgjigjet në asnjë pyetje.

“Ne jemi pajtuar që Astriti ta mbrojë vetën në heshtje dhe në rast se procedurat vazhdojnë tutje në të ardhmen ai mund të mbrojë veten në rrethana tjera. Ai nuk dëshiron të përgjigjet në asnjë pyetje”, kishte pohuar avokati i tij, Teki Bokshi./Insajderi.com

Më shumë për Dosja Grande:

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme