Dyshohet se kjo ishte arsyeja pse Hasan Krasniqi vrau gruan dhe renë dje në Prishtinë

Në tre vende të ndryshme do të prehen tre personat që mbetën të vdekur dje në Lagjen Dardania. Familjet e dy viktimave të Hasan Krasniqit nuk pranuan që varrimi i dy grave Hysnijes dhe Remzies të bëhet pranë atij që e quajnë kriminel, derisa shpjegojnë që i njëjti kishte tash e një kohë probleme të rënda me shëndetin mendor. Ata thonë se vrasja mund të jetë kryer për motive xhelozie. Të njëjtat dyshime jozyrtarisht i kanë edhe në Prokurori.

Tre familje mëngjesin e së martës hapën dyert për të pame. Një natë më parë nga një vrasje e dyfishtë që përfundoi edhe me një vetëvrasje, tre persona ndërruan jetë në banesën ku familja Krasniqi jetonte tash e sa vite, në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Dorasi, kreu i shtëpisë (Hasani 61-vjeç), që tash e sa vite kishte pasur probleme mendore, kreu aktin makabër, pak pasi dy viktimat u kthyen nga qyteti në banesë. Ai i la të vdekura ato derisa ishin në kuzhinë duke punuar, teksa pas vrasjes bëri edhe telefonatën e fundit për djalin e tij (Kreshnikun) për t’i treguar çfarë kishte bërë.

Hasani Krasniqi do të telefononte të birin për t’i thënë vetëm diçka: Nanën e grunë t’i rahatova, tash po e rahatoj edhe vetën. Pas kësaj telefonate, me armën që e shkrepi drejt e në kokë, 61-vjeçari i dha fund jetës në dhomën e tij.

Një ditë pas aktit makabër, tre familjet po prisnin njerëz që drejtoheshin për kryeshnosh. Të tronditura nga ajo se çka ndodhi një ditë më parë, ishte marrë një vendim, që asnjë nga gratë të mos varroseshin pranë Hasan Krasniqit.

Të dy familjet e grave të vrara, nuk deshën që familjarët e tyre të preheshin pranë njeriut që ua mori jetën, e që sipas tyre ndodhi me vetëdije, shkaku i një pakënaqësie të tij që mund të kishte të bëjë me daljen e fundit që kishin pasur në mëngjes 60-vjeçarja, 27-vjeçarja nusja e Kreshnik Krasniqit.

Të tri familjet, në fshatin Grashticë, ku jeton familja e Hasan Krasniqit, në familjen e Hysnije Krasniqit në Matiqan të Prishtinës, e në familjen e Remzie Kamberit në lagjen e Vranjevcit në Prishtinë. Të tri familjet dhanë rrëfimet e tyre për tragjedinë.

         Rrëfimi nga Grashtica – çka thonë familja e dorasit për tragjedinë

Mëngjesin e së martës, pak persona po qëndronin në shtëpinë e Hasan Krasniqit në fshatin Grashitcë të Prishtinës.

Në  shtëpinë e pabanuar, që 61-vjeçari e kishte në fshat po prisnin të pamën e tij, familja e ngushtë, teksa, ata duke folur për Gazetën Express, rrëfyen edhe se si morën vesh për rastin, për atë se çfarë probleme mund të ketë pasur familja, e personi që kreu krimin, e se si u morën vesh që varrimet të bëheshin në tre vende të ndryshme.

Sipas familjarëve, pak pasi që trupat e pajetë u dërguan në Mjekësinë Ligjore për obduksion, kishin bërë vizitë në të dy familjet e të ndjerave, derisa aty iu ishte bërë e qartë se asnjë nga familjarët e të vrarëve nuk do të pranonte që dy gratë të varroseshin pranë dorasit.

Rrjedhimisht, ndodhi edhe dakordimi që varrimi i tyre të bëhej të mërkurën, në orë të ndryshme të ditës.

Bajram Sinani (burri i motrës së dorasit), derisa, vëllai i të ndjerit nuk mundi nga emocionet të deklarohet.

Sipas Sinanit, të ndjerit iu ishte keqësuar gjendja kohëve të fundit, derisa rastin familja po e përjetojnë, siç thotë ai, shumë rëndë.

“Si familje kanë qenë të mirë po kohëve të fundit ju ndodhi ky problem shumë i vështirë që e përjetuam krejt familjarët. Shumë rëndë jam ndi. Djali më ka tregu dje duke ardh në shtëpi, nuk mujsha me marrë me mend që mundet me kry një njeri një akt kaq të vështirë”, thotë ai.

Sinani tutje shpjegon se edhe çka kishte deklaruar Kreshnik Krasniqi për këtë temë.

“Kur dëgjumë dje për këtë rast, djali (Kreshniku), tregojke po ma shumë nër lot, kur ka shku me marrë vajzën, qysh tregoj djali tha më thirri babi, i ka ardh momenti i lig me kry atë akt. Ai si  duket kish qenë i përgatitur për atë akt, vetëm i ndjeri e dinë edhe zoti qysh ka ardh deri te momenti i rëndë”, thotë ai.

Miku i familjes tregon edhe një histori tjetër që mund të ketë çuar te konflikti disa vjeçar në mes të dy partnerëve, që për një kohë po tentonin edhe të divorcoheshin.

Sipas tij, i ndjeri i kishte kërkuar disa herë gruas së tij që të linte punën e të rrinte të kujdesej për të në shtëpi, por, kjo e fundit nuk e kishte dëgjuar.

“Kam dëgju që kohëve të fundit nuk kanë qëndru mirë se ajo punojke, e këtij sigurisht nuk i ka pëlqy, ma tepër nuk dimë”, shton ai, teksa tregon edhe si Kreshniku (djali i dorasit), mori vesh për ngjarjen.

“Në vend të ngjarjes djali ka hy në banesë në vend të ngjarjes, qysh tregojke çika ish kanë te krytë e mamit të vet që ka qenë e shtrirë e përgjakur”, përfundon ai.

Familja e Hasan Krasniqit thonë se janë të tronditur nga krejt ajo se cka kishte ndodhur, teksa, po thonë se varrimi i të ndjerit do të bëhet të martën në varrezat e fshatit në orën 11:00.

Familja e 60-vjeçares – Nuk flisnim me dorasin, kishte provuar ta vriste motrën edhe më parë

Kishte disa vite që Salih Krasniqi e vëllezërit e tij nuk donin as të dëgjonin për kunatin e tyre, Hasan Krasniqin.

Krejt kjo pasi që për disa vite me radhë, ky i fundit kishte bërë presion ndaj gruas së tij, Hysnie Krasniqit, e madje kishte provuar edhe ta vriste me armë zjarri.

Madje, vetë Salihu kishte lajmëruar rastin në polici, e lënda për vrasjen ishte përcjellë edhe në Gjykatë.

Salih Krasniqi thotë se mori lajmin për vrasjen nga djali i motrës, teksa ka qëndruar në vend të ngjarjes derisa dolën kufomat e u përcollën për në hetuesi.

“Më ka njoftu djali i saj i madh Arbeni tha daj qeshtu na ka ndodh rasti kam shku në Dardani kam pritë aty deri i kanë nxjerrë kufomat. Shumë ran po ndodhshin edhe këto gjana”, thotë ai, teksa mes lotësh, tregon që e ka përjetuar shumë rëndë rastin.

Ai po thotë se ka qenë i njoftuar se me vendim të tij motra do të varroset në varrezat e Zllatarit në Matiqan.

“Te familja jonë varroset se është gjak i imi, jemi marrë vesh me djemt e sajna, ashtu kanë vepru edhe familja e resë, i kemi nda faktikisht secili të vetin”, shton ai.

Salih Krasniqi po thotë se motra e ndjerë kishte qëndruar ditë më parë në shtëpinë e tij, derisa sipas tij nuk kishte vërejtur ndonjë shenjë shqetësimi që mund të kishte të bënte me ndonjë ndodhi të kohëve të fundit.

Ai ka pohuar se marrëdhëniet në mes të tyre nuk ishin të mira që disa vite, por, zakonisht kur ndodhte largimi nga 60-vjeçarja, ai shkonte duke i premtuar se nuk do të përsëriste sjelljen e njëjtë dhe se kishte ndryshuar.

Krasniqi shton gjithashtu se nuk do të shkojë për ngushëllim te familja e atij që i dha fund jetës së motrës së tij e se vendimi që ajo të mos varrosej pranë tij ishte marrë nga vetë ai.

Familja e Remzie Kamberit –  Si e morën vesh për vrasjen e 27-vjeçares

Nazmi Kamberi edhe dje si çdo ditë tjetër kishte dalë të punonte. Derisa po kalonte në lagjen Dardania kishte parë një numër të madh të njerëzve që qëndronin para banesës së motrës së tij, por, ai nuk deshi të besonte se diçka e keqe mund t’i kishte ndodhur Remzie Kamberit, 27-vjeçe.

Nazmi Kamberi, derisa po priste njerëz që shkonin për ngushëllim po thotë se ka marrë vesh për tragjedinë nga policia.

“Më kanë thirrë policia më kanë ardh më kanë marr më tregun për rastin qysh ka ndodhë. Ma keq se që jam ndi ska qysh, shumë keq”, thotë ai, teksa shton se nuk e kishte ditur se vjehrri i nusës mund të ketë pasur probleme të tilla serioze.

“Nuk është anku për vjehrrin prej kërkujt s’ka thanë që ka problem, ajo gjithë ka thanë mirë, çka kemi ditë na, masanej çka ka ndodh se di”, shton ai, teksa thotë se mbrëmë e ka telefonuar dhëndri i tij, Kreshniku, por, ky i fundit ja kishte ndalë telefonin.

“Pram më ka thirr dhandri në telefon kesh në nërvozën time ja mshela telefonin s’deshta me fol. Motrën e varrosi vetë ata le te varrosin të vetën, ata punën e vet unë timen vet e varrosi”, përfundon ai.

Vajza e Kreshnik dhe Remzie Krasniqit që ende nuk i ka mbushur dy vite momentalisht është duke qënduar me familjarët e saj, teksa ekzistojnë dy versione që ende nuk janë konfirmuar, njëra se ajo kur ndodhi vrasja kishte qenë të fqinjët, e tjetra se ajo në momentin kur ndodhi krimi ishte duke luajtur, e pasi dëgjoi të shtënat qëndroi për një kohë te koka e nënës së saj të vrarë.

Lajmin për varrimin e kanë dhënë edhe familjarët përmes rrjeteve sociale. Kreshnik Krasniqi ka bërë të ditur se nesër do të bëhen të tri varrimet. Fillimisht në ora 11:00, varroset  Hasan Krasniqi në fshatin Grashticë. Pas tij, Hysnije Krasniqi varroset në ora 13:00 në varrezat e Zllatarit në Matiqan, derisa, Remzije Kamberi përcillet për në banesën e fundit në ora 16:20 në varrezat në Dragodan.

Ende nuk përfundoi raporti i autopisë – Hasan Krasniqi po ndiqej penalisht nga viti 2017-të

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ende nuk ka marrë raportin e autopsisë së tre personave që mbetën të vdekur dje në lagjen Dardania.

Sipas informatave që kanë deri më tani, e para është vrarë gruaja e dorasit, e pastaj është vrarë edhe reja, të dyja këto kishin qenë në kuzhinë, teksa dyshohet se po përgatitnin ushqim për familjen atëherë kur ndodhi tragjedia.

Hasan Krasniqi do të hynte në kuzhinë do t’i vriste të dyja ato, e pastaj do të kalonte në dhomën e tij të gjumit për të bërë një telefonatë e për të vrarë edhe veten.

Sipas dyshimeve që janë momentalisht, kjo mund të ketë ndodhur shkaku i xhelozisë për arsye se të dy viktimat pak minuta para se të vriteshin kishin dalë në qytet për të pirë kafe.

Deri më tani, siç ka bërë të ditur Prokuroria për Gazetën Express nuk është intervistuar asnjë person. Dje ndërkaq fqinjët kishin bërë të ditur se nuk dinin asgjë për prapavijën e asaj se çka kishte ndodhur. Nga prokuroria nuk kanë qartësuar as se ku kishte qenë vajza në momentin kur ndodhi krimi.

61-vjeçari ndërkaq kishte qenë i njohur për organet e rendit, pasi që sic ka mësuar Express, në vitin 2017-të, pasi që gruaja e tij e kishte lajmëruar në polici për tentim vrasje me armë zjarri, të njëjtit  Gjykata Themelore ia kishte ndaluar që t’i afrohej bashkëshortes më shumë se 50 metra.

Njëjtë pati vendosur Gjykata edhe për fëmijët e tij, por kjo masë kishte ndryshuar pasi që fëmijët pas pajtimit me të atin kishin kërkuar ndryshimin e masës në Gjykatë të Apelit.

Në atë kohë familja kishte qëndruar e ndarë, teksa ishin pajtuar pas premtimeve të dorasit se kishte ndryshuar dhe se nuk do të përsëriste sjelljen e njëjtë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme