Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dyshohet se e ka edhe një vend të dytë të punës, pos të ministrit, por të cilin nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Ministri Bytyqi mund të ketë qenë në konflikt të interesit kur e emëroi anëtare të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ardiana Bunjakun, shkruan lajmi.net.
Bunjaku që disa vite është Drejtoreshë Ekzekutive në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK). Sipas ueb-faqes së këtij institucion, aktualisht ministri Byqyqi është anëtar i Komisionit për Sjellje dhe Disiplinë në këtë institucion, si dhe anëtar i nënkomisionit për tatime.
Në deklarimin e pasurisë të ministrit Bytyqi në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ministri ka shkruar që ka vetëm një punë, atë të ministrit.
MASHT nuk ka dhënë përgjigje gjatë ditës së martë e as sot, lidhur me atë nëse ministri vazhdon të jetë në marrëdhënie pune edhe në ShKÇAK.
Edhe Zyra për marrëdhënie më publikun e ShKÇAK, nuk ka dhënë përgjigje gjatë ditës së marte e as sot lidhur më atë nëse Shyqiri Bytyqi vazhdon të mbajë ato dy pozita në këtë institucion.
Bytyqi është emëruar ministër më 09.09.2017, ndërsa sipas ueb faqes www.scaak.org, ku emri i tij figuron si i punësuar, të dhënat për anëtar e Komisioneve janë përditësuar me datë 18.09.2017.
Ndërkohë tek biografia e tij, të cilën e ka publikuar në ueb-faqen e ministrisë nuk i ka deklaruar këto dy pozita, pos që ka shkruar se “Në vitin 2007 është certifikuar si kontabilist (SCAAK), në 2008 si ligjërues i lartë (SCAAK) dhe po ashtu, më 2008 është certifikuar si auditor (SCAAK).
Në fund të vitit 2017, ministri Bytyqi shihet edhe në disa fotografi duke festuar më anëtarë e ShKÇAK.
ShKÇAK është organizatë profesionale e kontabilitetit dhe auditimit, ndërkohë, drejtoresha ekzekutive, Ardiana Bunjakun para pakë ditëve është emëruar anëtar e Këshillit drejtues të UP-së, nga ministri Byqyqi se bashku më tre anëtar tjerë. /Lajmi.net/