Vendi ynë është përfshirë nga një mot tepër i paqëndrueshëm dhe i shoqëruar me rrufe, shi të dendur dhe ulje temperaturash gjatë ditës së sotme.
Burimet bëjnë me dije për Gazetën Shqiptare se një banesë është përfshirë nga flakët në fshatin Dedaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe. Sipas të dhënave, zjarri ka ardhur si pasojë e një rrufeje.
Zjarri është përhapur me shpejtësi në banesë dhe për pasojë ka humbur jetën Arben Ivanaj, I cili si pasojë e plagëve të marra nga zjarri, ka ndërruar jetë në spital.
Sipas informacioneve, viktima po qëndronte në banesën e komshiut të tij.
Pas incidentit, grupi hetimor i policisë është nisur drejt vendit të ngjarjes ndërkohë që kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse për shuarjen e flakëve.
Njoftimi i policisë:
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Më datë 09.06.2022, në orën 13:15, në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, dyshohet se për shkak të goditjes së rrufesë është krijuar shkëndijë elektrike në banesën e shtetasit P. Ç. 63 vjeç.
Për pasojë është djegur pjesërisht banesa, si dhe ka pësuar djegie në trup, shtetasi A. I., 51 vjeç, banues në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, që po qëndronte në këtë banesë, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./GSH



