Moti i keq dhe me reshje të dendura shiu ka prekur prej 24 orësh të gjithë Shqipërinë. Ajo madje ka shkaktuar edhe viktima nga goditja e rrufesë.
Ndërkohë që edhe orët në vijim Shqipëria do të vijojë të jetë nën pushtetin e shiut por me intensitet më të ulët.
Në orët në vijim pritet që të kemi reshje shiu me një intensitet të dobët, por që do të vijnë duke u shtuar gjatë orëve të natës.
Gjatë ditës së nesërme pritet që në të gjithë territorin të kemi të njëjtën situatë, ku priten reshje të dendura shiu, por dhe shkarkesa elektrike.
Sa i përket temperaturave do të vijojnë të jenë të njëjta si ditën e sotme.
Rrufeja i merr jetën një qytetari në Malësinë e Madhe, viktima nuk u mbijetoi plagëve
Burimet bëjnë me dije për Gazetën Shqiptare se një banesë është përfshirë nga flakët në fshatin Dedaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe. Sipas të dhënave, zjarri ka ardhur si pasojë e një rrufeje.
Zjarri është përhapur me shpejtësi në banesë dhe për pasojë ka humbur jetën Arben Ivanaj, I cili si pasojë e plagëve të marra nga zjarri, ka ndërruar jetë në spital.
Sipas informacioneve, viktima po qëndronte në banesën e komshiut të tij.
Pas incidentit, grupi hetimor i policisë është nisur drejt vendit të ngjarjes ndërkohë që kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse për shuarjen e flakëve.
Njoftimi i policisë:
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Më datë 09.06.2022, në orën 13:15, në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, dyshohet se për shkak të goditjes së rrufesë është krijuar shkëndijë elektrike në banesën e shtetasit P. Ç. 63 vjeç.
Për pasojë është djegur pjesërisht banesa, si dhe ka pësuar djegie në trup, shtetasi A. I., 51 vjeç, banues në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, që po qëndronte në këtë banesë, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./GSH



