Gazetar: Zekirija Haxhiu
Të indinjuar nga vendimi i Kushtetueses që hodhi poshtë ankesën për pagesë të barabartë për reklamim zgjedhor, partia E Majta paralajmëron iniciativë për shfuqizimin e tërësishëm të reklamimit të paguar politik për të gjitha partitë. Nga E Majta nuk pajtohen me arsyetimin e Kushtetueses.
“Vet e dini se kandidati ynë Amar Mecinoviq hyri në rrethin e dytë në Qytetin e Shkupit. Kishim dy kandidatë në rrethin e dytë por vetëm njëri kishte reklamim të paguar politik dhe kjo është çështje e pa pranueshme, jo ligjore dhe jo kushtetuese. Kemi disa iniciativa për ndryshim në Kodin Zgjedhor por do të fillojmë me të parën, ku do të kërkojmë të shfuqizohet tërësisht reklamimi i paguar politik. Mendojmë se kjo është më e drejtë. Nëse nuk munden të gjitha partitë të marrin atë që ju takon, atëherë më e drejtë do të ishte askush të mos marrë asgjë dhe kështu do të kursejmë shuma milionëshe nga buxheti”, paralajmëroi Borisllav Krmov nga E Majta.
Të gatshëm për dialog janë edhe LSDM të cilët gjithashtu kanë vërejtje mbi ndryshimet e propozuara. Vërejtjet e tyre janë votimi elektronik i diasporës dhe lehtësimi i mënyrës së votimit. Nga kjo parti nuk janë kundër rritjes së buxhetit për partitë më të vogla.
“Do të mbështesim ndryshimet në Kodin Zgjedhor vetëm nëse implementohen propozimet e OSBE-së. Jemi të gatshëm të bisedojmë dhe të rrisim buxhetin edhe për partitë më të vogla. Nuk do të mbështesim ligj ku do të ketë mënyrë tjetër të rrethimit të numrit që duhet votuar shkaku i historikut të keqpërdorimeve. Mbajmë mend shenja të ndryshme, trekëndësha e yje, nga njerëz të cilët i tërhiqnin me forcë për të votuar. Kërkojmë dhe të tërhiqet votimi elektronik i diasporës. Nuk lejojmë të hapen dyert për vjedhje zgjedhore”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Ndërkohë VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski vazhdimisht janë shprehur të gatshëm se do të pranojnë gjithçka që kërkon opozita, përfshirë më tepër të holla për reklamim, por nuk janë të gatshëm të diskutojnë për votimin elektronik të diasporës. Nëse kjo nuk është e pranueshme, atëherë ata propozojnë që të bëhet edhe përmes postës. Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari një ditë më parë paralajmëroi se do të iniciojë takim me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në Kuvend me qëllim që të zhbllokojë situatën e krijuar./Alsat.mk
The post E Majta nuk pajtohet me Kushtetuesen, paralajmëron radikalizim në Kuvend appeared first on Alsat.



