E trishtë: Vdes në moshën 27-vjeçare modelja e njohur

Modelja australiane Lucy Markovic, e njohur për pjesëmarrjen e saj në spektaklin “Australia’s Next Top Model” dhe për karrierën e suksesshme në pasarelat ndërkombëtare për marka si Armani, Versace, Oscar de la Renta dhe Givenchy, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare, shkruan CNN, raporton Insajderi.

Lajmin e trishtë e konfirmoi agjencia e saj Elite Model Management përmes një njoftimi në rrjetet sociale ditën e enjte, duke bërë të ditur se Markovic kishte qenë në luftë me një sëmundje të rrallë të trurit.

Vdekja e saj u konfirmua gjithashtu edhe në profilin zyrtar të modeles në Instagram, vetëm pak orë pasi ishte postuar një përditësim ku thuhej se ajo ishte “duke luftuar për jetën”.

“Lucy ishte një dritë e ndritshme,” thuhet në deklaratën e Elite Model Management.

“Modelingu ishte një nga ëndrrat e saj, dhe ndjejmë nder të madh që kemi qenë pjesë e këtij udhëtimi. Ajo solli elegancë, forcë dhe bukuri në punën e saj — por më shumë se kaq, solli vetveten: ngrohtësinë, buzëqeshjen dhe dritën e saj.”

Lucy ishte ende adoleshente kur mori pjesë në sezonin e nëntë të “Australia’s Next Top Model” në vitin 2015, ku përfundoi si finaliste, duke humbur në finale përballë Brittany Beattie.

Pas këtij suksesi, ajo ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në industrinë e modës, duke pozuar për marka të mëdha si Versace, Victoria Beckham, Bulgari, Dolce & Gabbana, dhe duke u shfaqur në revista prestigjioze si Marie Claire dhe disa versione ndërkombëtare të Vogue.

Vetëm tre javë më parë, Markovic kishte ndarë me ndjekësit e saj në Instagram lajmin se do t’i nënshtrohej një operacioni për shkak të një malformimi arteriovenoz në tru (AVM) – një grumbullim i pazakontë i enëve të gjakut që mund të çojë në dëmtim të trurit apo goditje në tru. Ajo kishte treguar se formacioni ishte “i madhësisë së një topi golfi” dhe se kishte përjetuar kriza epileptike.

Në atë postim, ajo kishte shkruar: “Përmbytje emocionesh në këtë periudhë. Jeta është një udhëtim dhe jam gati për kapitullin e radhës.”

Mesazhe ngushëllimi erdhën nga e gjithë bota e modës pas lajmit për vdekjen e saj.

Modelja e vitit, Alex Consani, ishte një ndër figurat që komentuan në profilin e Markovic me fjalë prekëse.

Edhe ikonat e industrisë, përfshirë Donatella Versace, shprehën trishtimin e tyre. “Jam shumë e pikëlluar nga lajmi për @lucymarkovicc,” shkroi Versace në Instagram, e cila vetëm muajin e kaluar u tërhoq nga posti i drejtueses kreative të markës Versace pas 28 vitesh. “Prehu në paqe, vajzë e bukur.”

Ndërkohë, agjencia e saj në Australi, Kult Australia, shkroi: “Sot humbëm një yll… Ajo ishte rrezatuese, e ngrohtë dhe një shpirt i bukur.”

Humbja e Lucy Markovic lë një boshllëk të madh në botën e modës, ku ajo njihej jo vetëm për talentin dhe bukurinë, por edhe për zemrën dhe shpirtin e saj të jashtëzakonshëm.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme