Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila një ditë më parë u kërcënua me hetime nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas deklaratave të saj se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë, ka bërë një reagim në rrjetin social Twitter.
Ajo ka publikuar një thënie të Winston Churchill ku ai flet për të vërtetën.
“E vërteta është e padiskutueshme, e keqja mund ta sulmojë atë, injoranca mund ta përqeshë atë, por në fund, ja ku është”, ka shkruar ajo.
Dje edhe sot ka pasur reagime të shumta rreth deklaratave të Vuçiqit për Kearns.
Ambasadori i Kosovës në Londër, Ilir Kapiti, në një postim në Twitter shkruan se Aleksandar Vuçiq, ministri famëkeq i informimit në kohën e Slobodan Millosheviqit, është i njohur për aftësitë e tij dinake për orkestrimin e skemave komplekse.
“Aleksandar Vuçiq, ministri famëkeq i informimit në regjimin e Millosheviqit, ka qenë prej kohësh i njohur për aftësitë e tij dinake në orkestrimin e skemave komplekse, duke manipuluar me shkathtësi narrativën me saktësi strategjike për të shtrembëruar realitetin”, shkruan Kapiti.
Reagoi edhe njohësi i proceseve në Ballkanin Perëndimor Jakub Bielamowicz, i cili thekson se është sulm i turpshëm i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq që po kërcënon me hetim deputeten Kearns për deklaratat e saj.
“Një sulm i turpshëm nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili po kërcënon me një hetim kundër Alicia Kearnsit, kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka folur për agresionin e Serbisë, duke përfshirë kontrabandë armësh me autoambulanca në kishat serbe në Kosovë”, shkruan ai.
Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns edhe gjatë ditës së djeshme ka theksuar se sulmet e fundit me armë zjarri ndaj KFOR-it dhe rezervat e armëve që janë gjetur nga Policia e Kosovës demonstrojnë praninë e gjerë të armëve ilegale dhe kontrabandë në veri të Kosovës.
“Sulmet e fundit me armë zjarri ndaj KFOR-it dhe rezervave të armëve të gjetura nga policia kosovare, të gjitha demonstrojnë praninë e gjerë të armëve ilegale dhe kontrabandë në veri të Kosovës. Kjo kërkon veprim urgjent për të siguruar që çdo përshkallëzim i mëtejshëm të mos rezultojë në dhunë fatale. Jam i kënaqur që çështja e lëvizjeve të armëve po merr fokusin që kërkon” – ka thënë Kearns për KALLXO.com. /Reporteri.net/