Sistemi Evropian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria.
Përgjatë javëve të fundit, Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania, vende që kanë importuar fruta nga Shqipëria, i kanë kthyer ngarkesat në kufi pas analizave.
Mandarinat rezultojnë me mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara për tregtim në BE. Konkretisht, mbetje të larta të pesticideve chlorpyrifos dhe phosmet, që si efekte anësore kanë ndikimin në zhvillimin e trurit te fëmijët, çrregullime të sistemit nervor dhe atij endokrin, si dhe rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe kancer.
Pavarësisht se sinjalizimi i konfirmuar edhe nga Komisioni Evropian është bërë në datat 29 nëntor dhe 11 dhjetor të këtij viti, nga Ministria e Bujqësisë dhe institucionet e kontrollit ushqimor në Shqipëri nuk ka një lajmërim zyrtar mbi sigurinë apo tërheqjen nga tregu të këtyre produkteve.
Mbetjet e pesticideve rezultojnë nga analizat 3 deri në 12 herë më të larta nga sa lejojnë rregulloret evropiane, të ndryshuara që prej Shtatorit të vitit të kaluar.
KOHA ka pyetur në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për këtë çështje. Nga aty kanë thënë se aktualisht nuk kanë asnjë informatë lidhur me analizat.