Gjatë pasdites së djeshme në fshatin Komoran, Gllogovc, ka ndodhur një aksident me fatalitet.
Siç raporton policia, një femër ka mbetur e vdekur pas lëndimeve të marra, transmeton Koha.net.
Në aksident janë përfshirë 2 vetura ndërsa një femër mbeti e vdekur e 3 të tjera të lënduara.
“Vozitësja femër Shqiptare duke drejtuar veturën Audi A-4 dyshohet se nga pa kujdesia ka goditur veturën Mercedes 203. Si pasojë e aksidentit një pasagjere femër Shqiptare ka vdekur ndërsa dy vozitëset dhe një pasagjere tjetër femra Shqiptare kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e sotëm policor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës u dërgua në IML për obduksion.
Kujtojmë se edhe dje nga aksidenti në Greme të Ferizajt, mbeti e vdekur një 20 vjeçare, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes u raportua se edhe vajza tjetër që ishte me të nuk i mbijetoi plagëve e ndërroi jetë, përcjell Koha.net.
Një aksident me fatalitet u raportua mbrëmë edhe në rrugën Gjakovë-Pejë në fshatin Skivjan.
Nga ky aksident humbën jetën nënë e bir, ndërsa dy të tjerë mbetën të lënduar.
Sot Policia e Kosovës përmes raportit policor, me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre.