Përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare kanë pikëvështrime të ndryshme nëse Kuvendi i Kosovës është funksional.
Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo në kuadër të koalicionit parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën, të cilat kanë krijuar shumicën parlamentare dhe Qeverinë e vendit në marrëveshje me Aleancën Kosova e Re, thotë për Radion Evropa e Lirë se është ende herët të vlerësohet nëse Kuvendi është funksional ose jo.
“Sapo ka filluar puna e tij (Kuvendit) dhe normalisht aty është arena e betejave kryesore politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Në këtë rast, me një opozitë më të fuqishme se sa në mandatin e kaluar, vërehet një tendencë për të pasur një situatë dhe një sjellje tjetër nga ajo që jemi mësuar ta kemi”.
“Unë besoj që Kuvendi i Kosovës do ta luajë rolin e vet të rëndësishëm, në kuptimin edhe të ofrimit të mbështetjes për projektet nga ana e pushtetit, por edhe në kuptimin e korrektimit të Qeverisë nga ana e opozitës”, thotë Krasniqi.
Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky më i madhi opozitar, thotë se puna e Kuvendit nuk e ka rrjedhën normale dhe për një gjë të tillë, ajo i fajëson subjektet politike në pushtet, si dhe kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.
“U bë kohë e gjatë prej zgjedhjeve dhe ne, po ashtu, morëm disa muaj kur e konstituuam Kuvendin. Në vend se të vazhdojë tash rrjedha normale e Kuvendit, duke i ballafaquar qëndrimet politike në Kuvend, ashtu siç edhe e parashohin republikat parlamentare, kjo nuk po ndodhë, për faktin se, siç duket, Qeveria Haradinaj e ka në plan që ta shtypë apo ta mbysë republikën parlamentare. Ne edhe në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit kemi bërë thirrje që të vazhdohet me seancat plenare, mirëpo kjo është kundërshtuar nga subjektet që janë në pushtet”, shprehet deputetja Haxhiu.
Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi ende nuk ka hyrë në fazën intensive të punës.
“Është procedurë normale e dhënies së kohës për qeverinë, derisa të vijë me propozimet e veta, meqenëse të gjitha ligjet në praktikën tonë parlamentare ose të paktën, shumica prej tyre, vijnë nga qeveria, atëherë mbetet që të shohim edhe disa ditë. Por, ditët e para nuk janë shumë optimiste”.
“Duke marrë parasysh faktin se kemi pasur disa muaj bllokadë në Kuvend dhe po ashtu, nëse marrim parasysh edhe faktin se Qeveria ka përkrahje shumë të vogël në Kuvend, pres që të kemi vështirësi në kalimin e ligjeve dhe marrjen e vendimeve në Kuvend”, thekson Gashi.
Kuvendi i Kosovës, i cili ka nisur seancën konstituive më 3 gusht, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij, më 7 shator, ka zvarritur këtë proces me ndërprerje të vazhdueshme të seancës, për 6 herë. Zvarritjet e punës së Kuvendit, kanë vazhduar edhe pas zgjedhjes së Qeverisë së vendit më 9 shtator.
Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e nisur më 10 shtator,ishte ndërprerë për shkak të mungesës në seancë të deputetëve të partive në pushtet dhe kabinetit qeveritar.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, patën kërkuar që më 11 shtator të mbahet mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Kjo mbledhje nuk është mbajtur deri më 20 shtator. Megjithatë, edhe kjo mbledhje u ndërpre për shkak se nuk u arrit pajtimi i opozitës dhe partive në pushtet, që të caktohet vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme.
Përfaqësuesit e subjekteve në pushtet kanë fajësuar subjektet opozitare për braktisje të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit më 20 shtator, duke thënë se situatat e tilla po i fusin në funksion të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë theksuar se deklaratat e tilla janë vetëm mungesë e argumenteve nga ana e subjekteve politike në pushtet.