Edhe një viktimë nga aksidenti i trafikut në Shkup/ Një 26-vjeçar ka përplasur një çiklist 78-vjeçar

Gazetar: Mihajllo Donev

Një tjetër aksident trafiku me epilog tragjik. Një shofer 26-vjeçar ka goditur për vdekje mbrëmë një çiklist 78-vjeçar pak minuta pas mesnate. Policia ka deklaruar se çiklisti ka ndërruar jetë në vendngjarje pas lëndimeve të marra ndërsa prokurori publik ka dalë në vendin e ngjarjes. Fillimisht nuk është konstatuar se drejtuesi i automjetit ka qenë nën efekt të alkoolit.

“Menjëherë pas ngjarjes, në gjakun e drejtuesit të automjetit nuk është konstatuar alkool, por janë marrë mostrat e gjakut dhe urinës për analiza shtesë. Është lëshuar urdhër për autopsi në trupin e të ndjerit, si dhe urdhër për sigurimin e çdo incizimi të mundshëm nga mbikëqyrja me video”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Krahas këtij rasti, një 19-vjeçar u arrestua dje pas aksidentit në rrugën Tetovë-Gostivar ku mbeti e vdekur një grua 81-vjeçare nga Ohri. Dy persona të tjerë janë të plagosur rëndë.

“V.V. (47) dhe S.V. (69) nga Ohri kanë pësuar lëndime të rënda, shoqërues në veturën “Peugeot”, të cilët me autoambulancë janë transportuar për ndihmë mjekësore në Qendrën emergjente të Gostivarit. Kontroll është kryer nga SPB Gostivar dhe prokurori publik, me urdhër të të cilit shoferi A.A. është privuar nga liria dhe kundër tij do të ngrihet padi përkatëse”, thonë nga MPB.

Dy ditë më parë në Shkup, një vozitës i alkoolizuar në vendkalim për këmbësorë ka përplasur një grua, e cila ka pësuar lëndime të rënda. Të gjitha këto aksidente dhe gabime të shoferëve, në shumë raste, vijnë në kohën kur kontrollet në komunikacion janë intensifikuar pasi më 29 janar të këtij viti, 20-vjeçari Vasill Jovanov, teksa kalonte në semafor të kuq, nën efektin e alkoolit dhe mbi shpejtësinë e lejuar, goditi për vdekje 22-vjeçaren Frosina Kullakova nga Negotina. Pas këtij rasti, vetëm në muajin shkurt policia ka gjobitur mbi 2000 vozitës pa patentë, mbi 600 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit dhe 7470 për tejkalim të shpejtësisë. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme