Ornela Manjani – Automjetet e prodhuara para vitit 2009 dhe automjetet që nuk përmbushin normën ‘EURO 5’ dhe lart nuk do hyjnë në vendin tonë pas datës 1 janar 2019. Në vend do të lejohet importi i katër kategorive automjetesh. E para autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën ‘EURO 5’, të Bashkimit Europian.
Kategoria e dytë janë mjetet motorike të tjera të reja si: motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe NI, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën ‘EURO 5’, të Bashkimit Europian. Kategoria e tretë autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Kategoria e katërt janë mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe Nl, (të gjitha ato që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Përcaktimet janë bërë në projektvendimin që Ministria e Mjedisit ka gati dhe pritet ta nisë për miratim.
Sipas këtij projektvendimi, automjetet që janë prodhuar më shumë se 10 vjet më parë dhe për makinat e reja, ato që nuk përmbushin normën ‘EURO 5’ dhe lart, nga 1 janari nuk do të lejohet që të hyjnë në Shqipëri. Ndërkohë nuk do të ndalohet importi i automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi (p.sh. automjete të prodhuara deri në dhjetor 1970). Për motorët dhe kamionët, koha e lejuar për importin e tyre nga data e prodhimit është 15 vjet. Nisur nga ligji nr. 162/2014 “Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis, qeveria ndërmori hapa për ndalimin e importit të makinave të vjetra, me qëllim reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë. Sipas relacionit që shoqëron projekt vendimin mësohet se deri në vitin 2016 në vendin tonë ishin të regjistruara 435.613 autovetura. Numri total i automjeteve (duke përfshirë edhe kamionët, autobusët, motorët, rimorkiot, makinat bujqësore, etj.) ishte 562.658. Sipas DPSHTRR-së ka edhe rreth 200.000 autovetura të tjera që formalisht nuk janë në qarkullim, pra nuk kanë bërë riregjistrimin në momentin e kontrollit teknik. Kjo do të thotë se numri i automjeteve të përdorura që janë gjendje në vend është akoma më i madh. Vitet e fundit, struktura e regjistrimit për herë të parë të autoveturave është: 5% mjete të reja (kilometrazh 0) dhe 95% mjete të përdorura e shumë të përdorura.
Kjo prirje u theksua pas vitit 2011, kur me eliminimin e taksës doganore u hoq edhe barriera taksuese që ishte vendosur për efekt të ndotjes nga mjetet e përdorura. Me heqjen dorë nga parimi “ndotësi paguan” u ndryshua rrënjësisht politika e importit të automjeteve. Një shifër e tillë e regjistrimit të mjeteve të reja (5%) nuk haset në asnjë vend të Evropës, ndoshta edhe të Afrikës. Kjo çon në mosrespektim të normave të lejuara të shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe lëndës së ngurtë pezull të përcaktuara në Direktivat e Bashkimit Evropian dhe në konventat e ndryshme ndërkombëtare. Aktualisht vazhdojnë të regjistrohen për herë të parë edhe makina ‘EURO 0’, ‘EURO l’, ‘EURO 2’ e ‘EURO 3’, duke krijuar në këtë mënyrë probleme të mprehta të ndotjes së mjedisit e sigurisë në rrugë. Mjetet ‘EURO 0-3’ përbëjnë 80% të parkut ekzistues. Ligji Nr. 10458, datë. 21.07.2011 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat kombëtare, i ndryshuar” e riorganizoi sistemin e taksave që zbatoheshin për mjetet motorike.
Taksimi i padiferencuar i pranuar nga ky ligj, e ka nxitur e vazhdon ta rëndojë gjendjen. Një mjet ‘EURO 1’ që çliron në atmosferë 31 herë më shumë grimca të ngurta (PM) e 12 herë më shumë okside azoti (NOx) se një mjet ‘EURO 6’, taksohet njëlloj me këtë të fundit. Vlen të përmendet se çmimi më i lirë i autoveturave të vjetra mund të rrisë intensitetin e transportit privat, duke çuar edhe prej këtij fakti, në rritje të sasisë së gazeve të dëmshme për frymë të popullsisë. Mosha mesatare e mjeteve në qarkullim në vendin tonë është mbi 20 vjet. Edhe këtë vit mosha mesatare e makinave që importohen vazhdon të jetë mbi 13 vjet e atyre u mbeten vetëm 5 vjet për t’u përdorur. Në 90% të rasteve kilometrazhi i mjeteve të importuara është i trukuar, çka e rëndon edhe më tej gjendjen. Mbi 2/3 e mjeteve që importohen kanë përfunduar ciklin e tyre normal të jetës dhe si të thuash vijnë vetëm për “të vdekur” në Shqipëri. Po thellohet me shpejtësi hendeku që na ndan në këtë fushë nga vendet e BE-së dhe vendet e tjera të rajonit.
Automjetet që përjashtohen
Sipas specifikimeve të pr.vendimit, ky vendim zbatohet për mjetet motorike të kategorisë M (Ml, M2) për transport njerëzish dhe N (N1) për transport mallrash. Ky vendim nuk zbatohet për importin e:
1.Automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:
2.Automjete të prodhuara deri në dhjetor 1970;
3.Automjete të prezantuara si model i prodhimit deri me 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë, ose automjete, të cilët paraqesin vlera teknike muzeore apo kulturore, trashëgimi tradicionale.
Çdo të ndodhë me automjetet që kanë hyrë tashmë?
Projektvendimi parashikon që automjetet, të cilat me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kanë hyrë në territorin shqiptar, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kane afat deri në 31 dhjetor 2018, për kryerjen e procedurave të nevojshme.