Gazetare: Fatlume Dervishi
Në dhjetë vendkalimet kufitare të vendit, transportuesit bllokuan daljet për automjetet e rënda të transportit të mallrave, në shenjë proteste paralajmëruese për vendet e zonës së Shengenit, pak muaj para hyrjes së plotë në fuqi të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve. Nga mesnata, do të bllokohen edhe të gjitha hyrjet në shtet për automjetet e rënda. Në kufi do të lejohen të kalojën vetëm transportuesit e ilaçeve, kafshëve, eksplozivëve dhe municioneve. Bllokimi nuk vlen për transportin e njerëzve dhe për veturat private.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për ne por për katër vende të Ballkanit Perëndimor me të cilat dëshmojmë se si mund të ndërpritet zinxhiri i furnizimit. Transportuesit profesionistë nuk janë turistë, nuk janë migrantë por janë të punësuar në shtetin e tyre dhe operojnë me veturat e tyre dhe BE-ja në një mënyrë dëshiron të na pengojë të punojmë. Ky është diskriminim i madh që i bëhet transportit rrugor sepse ekziston rregullativë me të cilën BE-ja i ka liruar nga numërimi i ditëve të qëndrimit të gjithë llojet e tjera të transportit, me anije, me avion dhe hekurudhor. Kështu që ne si transportues duhet të kemi trajtim të njëjtë,” tha Biljana Moratovska, MAKAM-TRANS.
Për 7 ditë sa pritet të zgjasë protesta, do të pengohet transporti i mbi 1 milion ton mallë.
Protesta mbështetet edhe nga qeveria. Ministri Aleksandar Nikollovski thotë se vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje nga vendet e Shengenit.
“Të shfrytëzohen muajt shkurt dhe mars dhe vendet anëtare të Shengenit të gjejnë zgjidhje. Në parim ka tre zgjidhje: të shtyhet zbatimi i sistemit të ri elektronik EES për transportuesit. E dyta është të rritet numri i ditëve që mund t’i kalojnë në zonën Shengen në të paktën 250 ditë, të ndarë në cikle. Zgjidhja e tretë është që transportuesit të mos trajtohen si turistë por të trajtohen si profesionistë dhe ose të mos përfshihen në këto rregulla ose të pajisjen me viza të caktuara siç bën për momentin Zvicra,” deklaroi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Nikollovski tha se është në komunikim edhe me Greqinë dhe Kroacinë.
Komisioni Evropian thotë se nuk bëhet fjalë për rregulla të reja. Ata shtojnë se janë të njoftuar me shqetësimin e transportuesve dhe se do të kërkojnë zgjidhje.
“Sistemi i hyrje-daljeve nuk parashikon asnjë rregull të ri sa i takon qëndrimit në zonën Shengen. Ai vetëm siguron zbatimin më të mirë të rregullave ekzistuese dhe detektim më efikas të praktikave jashtë rregullave. Këto rregulla zbatohen njësoj në të gjithë zonën Shengen dhe kanë qenë në fuqi prej shumë vitesh… Ne jemi të vetëdijshëm se për disa profesionistë të shteteve të tretë që nuk janë punëtorë ndërkombëtarë, mund të ketë nevojë që të rrinë në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë në 180 ditë, si transportuesit dhe sportistët dhe artistët. Kjo gjithashtu ka të bëjë me rregullat nacionale dhe marrëveshjet bilaterale. Është diçka për të cilën po punojmë dhe reflektojmë, gjithashtu edhe në kontekstin e strategjisë së re të vizave që do të shqyrtohet gjatë kësaj jave,” deklaroi Markus Lamert, Zëdhënës i Komisionit Evropian.
Sistemi i hyrje-daljeve i vendosur në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen, filloi të zbatohet gradualisht nga 12 tetori 2025 dhe duhet të zbatohet plotësisht deri më 10 prill 2026. /alsat.mk



