Eksperti i sigurisë: Rusia ka ndikim në Kosovë

Eksperti i sigurisë nga QKSS, Plator Avdiu, duke komentuar deklaratën e Komandantit suprem të NATO-s për Evropë, Gjeneralit Curtis Scaparrotti, ka thënë se duhet të pranohet që ka ndikim të shtetit rus në Kosovë.

Avdiu, duke folur në Ora e Fundit në Klan Kosova pohoi se “nuk është se nuk ka ndikim Rusia në Kosovë”.

“Deklarimet për involvimin e Rusisë në Ballkan janë shqetësues, pasi kjo nuk ndërlidhet veç me Kosovën, por edhe me vendet e tjera të regjionit. Kemi shembullin në Malin e Zi, kur rusët provuan ta ndalojnë me çdo kusht anëtarësimin e këtij shteti në NATO”, ka thënë Avdiu, njofton Klan Kosova.

Ai ka folur edhe për qasjen e NATO-s ndaj Kosovës dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

“NATO duhet ta ndryshojë pozicionin e vet në raport me Kosovën”, tha eksperti nga QKSS.

Avidu ka përmendur edhe faktin se “NATO nuk po e njeh Kosovën shkaku i vendeve brenda aleancës që nuk e njohin shtetin tonë”.

Ndërsa sa i përket formimit të ushtrisë së Kosovës, ashtu siç po thotë NATO, përmes ndryshimeve kushtetuese, Avdiu tha se është shumë e vështirë të ndodhë në këtë formë.

“Shndërrimi i forcës së sigurisë së Kosovës në ushtri nuk shoh se mund të zgjidhet ashtu siç po e kërkon NATO-ja, përmes ndryshimeve kushtetuese. Kjo për shkak se në Kosovë është Lista Serbe, e cila nuk pranon të votojë ndryshimet kushtetuese dhe si rrjedhojë e kësaj pamundëson transformimin e FSK-së”, tha ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme