Eksperti i sigurisë tregon se ku gjenden dosjet e UDB-së dhe çfarë do të ndodhte me hapjen e tyre

Eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, duke folur për “Bota sot”, ka deklaruar se lustracioni është proces i komplikuar sikur të bëhet edhe nga vetë ata që i kanë krijuar dosjet.

Sipas tij, shërbimet inteligjente në bazë të parimit të tyre kanë ruajtjen e “burimit” (spiunit) apo personit të infiltruar.

“Kjo ruajtje është shumë dimensionale e cila aplikohet te të gjitha shërbimet e inteligjencës. Fillon me fshehjen e identitetit të “burimit”, duke i vendosur një pseudonim, pastaj me rregulloren kush ka të drejtë ta njohë “burimin”, dhe me mbulimin e tij operativ. Kjo e fundit është art në vete, pasi në jetën reale burimi apo informatori (spiuni) duhet të tregoj besnikëri në hapësirën e infiltruar. Varësisht prej nivelit te informatorit dhe interesit të shërbimit për hapësirën ku ai vepron, shërbimi harton skema të cilat informatorin duhet ta bëjnë sa më të besuar në rrethin ku ai është infiltruar. Për këtë, shërbimi dikujt mundë ti jep urdhër që ta arrestoj burimin, të përhap fjalë se është person i rrezikshëm dhe ti hapë dosje operative. Raste të tilla ka dhe po të hapen dosjet dikush në një dosje mundë të jetë “patriot” në dosjen tjetër “tradhtarë””, ka thënë Kajtazi.

Ai ka vlerësuar, se ka raste kur me qëllim të diskreditimit të figurave të caktuara, shërbimi ka hap fjalë, apo ka lëshuar në qarkullim copëza të informatave se “X” personi ka qenë bash bashkëpunëtorë i shërbimit, dhe bashkëpunëtorët e vërtetë (spiunët) në raportet e tyre e kanë evidentuar si të tillë.

“Po të hapen dosjet, identifikimi real i spiunëve është vështirë të bëhet. Në anën tjetër, dosjet e krijuara nga shërbimi serb nuk janë në Kosovë dhe nëse Serbia vendos ti kthej, ajo i kthen vetëm dosjet operative, pra të subjektit që nënkupton dosjet e atyre që kanë qenë të përndjekur. Nga këto dosje mundë të përafrohen spiunët me kushtin që pos subjektit të grumbullohet të gjithë personat e përfshirë në ngjarje për të cilën spiuni ka bërë raport. Kjo është e pa mundur nga se shumica, ose një pjesë e konsideruar e atyre personave kanë vdekur, kështu kjo do të shkaktonte konfuzion edhe më të madh. Dosjet e evidencës së informatorëve (spiunëve) shteti serb nuk i dorëzon. Për ata persona që kanë vdekur dosjet asgjësohen kurse për personat që janë gjallë ato janë të mbrojtura me ligj. Sigurimi i të kaluarës, ose informacion për atë se kush, kënd e ka spiunuar mund të sigurohet me kusht që arrihet marrëveshje me shtetet e dala nga ish Jugosllavia. Secila nga republikat ka pas sektorin e emigracionit politik ku emigracioni politik shqiptar ka qenë në fokus”, është shprehur Kajtazi.

Sipas të njëjtit, një pjesë e mirë e këtij aktiviteti mundë të gjendet në Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni dhe Bosnjë.

“Një marrëveshje me këto Republika mundet të ndriçojë këtë veprimtari. Gjithashtu deri në fillim të viteve të tetëdhjeta qendra e mikrofilmimit të dosjeve jo aktive ka qenë në Lubjanë, edhe nga kjo mundë të nxirret informacion i vlefshëm. Por të gjitha këto kërkojnë që të plotësohet një parakusht e ky është që pjesë e lustrimit duhet të jenë edhe ata që kanë punuar në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Kjo ka rëndësi të madhe sepse kjo kategori e njeh sistemin e krijimit të dosjeve dhe gjuhën e dosjeve. Dihet që ato janë të krijuara në gjuhën serbe, kroate, sllovene dhe maqedone. Sa më shumë që kalon koha akterët e këtyre dosjeve; qoftë ata që kanë qenë subjekt, qoftë ata që kanë punuar në to i ha koha. Dhe kjo kohë e shpenzuar, është e artë për spiunët të cilët mund të mbeten të pa identifikuar dhe shtetit të Kosovës t’i vështirësojnë jetën”, ka thënë eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme