Ekzekutimi me plumb në kokë i Eduart Reçit nga efektivi dhe vëllai pas sherrit për pronën ku viktima donte të ndërtonte një pallat! Polici njihej si qitës shumë i mirë

Një oficer policie i komisariatit nr. 2 të policisë së Tiranës dhe vëllai i tij janë arrestuar si autorë të vrasjes së biznesmenit të ndërtimit Eduard Reçi, ndodhur më 13 nëntor 2024 poshtë pallatit ku jetonte dhe të cilin e kishte ndërtuar vetë.


Policia bëri me dije dje, 11 ditë nga krimi i rëndë, se zbardhi vrasjen ndërsa arrestoi dy vëllezërit, Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, oficer policie, dhe Florian Dukaj, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë. Burime nga grupi hetimor theksojnë se ka qenë pikërisht efektivi, Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, i njohur si një qitës shumë i mirë mes uniformave blu, që sipas policisë ka qëlluar mbi 52-vjeçarin me origjinë nga Dibra që vite më parë kishte qenë edhe pjesë e Shërbimit Infomativ Shtetëror.

Sipas policisë vëllai i autorit, Florjan Dukaj, 45 vjeç, ka ndihmuar në ekzekutim, që shkak dyshohet të jenë konfliktet për motive pronësie. Hetuesit, pas provave kanë përcaktuar edhe vendin nga ku është qëlluar, pasi kanë mundur të sigurojnë edhe pamje nga kamerat e sigurisë të mbledhura për efekt hetimi.

HETIMET SIPAS POLICISË

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakordësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës). Ndër personat me të cilët shtetasi Eduart Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florian Dukaj dhe Shkëlqim Dukaj, informoi më 24 nëntor policia e Tiranës.

Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim. Në magazinën e lokalit iu gjetën, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike tëngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, informoi dje policia. Policia thotë se Shkëlqim Dukaj njihej si qitës profesionist.

NGJARJA

Eduart Reçi u ekzekutua në një atentat të mirorganizuar pranë pallatit ku jetonte. Autorët e krimit raportohet se kanë pritur derisa Eduart Reçi të dilte nga banesa dhe e kanë qëlluar nga distanca.

Biznesmeni i ndërtimit, i cili dikur ka qenë funksionar i SHISH, mori një plumb të vetëm në kokë dhe u dërgua te spitali i ‘Traumës’, por nuk arriti të mbijetonte.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 nëntorit rreth orës 23:30, në rrugën “Faik Konica”, ndërsa mësohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar vetëm momentin kur viktima është qëlluar me plumb dhe është rrëzuar në tokë, por jo atentatorët. Biznesmeni ishte baba i dy fëmijëve, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme