Një embargo efektive ndaj importeve të naftës dhe gazit nga Rusia mund të detyrojë t’i japë fund luftës së vendit kundër Ukrainës brenda tetë javësh, tha për BBC ish-këshilltari ekonomik i presidentit rus Vladimir Putin.
Nëse vendet perëndimore “do të përpiqeshin të zbatonin një embargo të vërtetë ndaj eksporteve të naftës dhe gazit nga Rusia … do të vë bast se ndoshta brenda një ose dy muajsh, operacionet ushtarake ruse në Ukrainë, ndoshta do të ndërpriten, do të ndalen”, tha Andrey Illarionov. “Është një nga instrumentet shumë efektive që ende zotërohen nga vendet perëndimore”.
Illarionov ishte një këshilltar i lartë dhe përfaqësues i G8 i Putinit nga viti 2000 dhe 2005, kur ai dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj sulmeve të trupave ruse në shkollën e Beslanit në vitin 2004, kur ajo mbahej nga rebelët çeçenë, duke çuar në vdekjen e 333 civilëve.
Thirrjet për të shtuar naftën dhe gazin rus në sanksionet perëndimore janë bërë më të forta pasi mizoritë e kryera nga trupat ruse në zonën përreth Kievit kanë tronditur botën. Kievi ka akuzuar vazhdimisht Perëndimin për financimin e luftës së Rusisë duke vazhduar të blejë energji ruse. Kryediplomati i BE-së Josep Borrell tha se BE-ja i paguan Putinit një miliardë euro çdo ditë për energjinë.
Në fillim të kësaj jave, një shumicë dërrmuese e ligjvënësve evropianë kërkuan një “embargo të menjëhershme të plotë” ndaj naftës, gazit dhe qymyrit rus. Por ndërkohë që BE-ja ndaloi importin e qymyrit rus të premten, dhe një numër qeverish evropiane, duke përfshirë Francën, Italinë, Poloninë dhe vendet baltike, janë në një zë me sanksionet e mëtejshme, Gjermania ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur një embargo të menjëhershme ndaj importeve të gazit rus si dhe Hungaria, të dyja duke përmendur pasoja negative ekonomike për qytetarët e tyre. Edhe një fund i importeve të naftës nga Rusia nuk ka gjasa para fundit të vitit.
Në intervistën për BBC, ai argumentoi gjithashtu se një ndryshim i qeverisë është i pashmangshëm “herët a vonë” pasi “është absolutisht e pamundur të ketë ndonjë të ardhme pozitive për Rusinë me regjimin aktual politik”./GSH



