Përzgjedhja e anëtareve këshillave drejtues dhe mbikëqyrës të ndërmarrjeve publike dhe drejtorive që janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit ka shkaktuar reagime. Opozita ka akuzuar se 117 personat e vendosur në krye të këshillave drejtues janë partiak dhe do të rëndojnë edhe më shumë gjendjen financiare. Kreu i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjevski thotë se të përzgjedhurit janë vlerë e shtuar për ndërmarrjet publike.
“Dua të theksoj se të gjithë ata njerëz i njoh dhe mendoj se do të jenë vlerë e shtuar për ndërmarrjet publike. Ata duhet të jenë korrektues të drejtorëve dhe gjendjes në ndërmarrjet publike dhe vlerë e shtuar për të ndihmuar. Sa i përket asaj se nuk janë dorëzuar biografitë e tyre, absolutisht i hedh poshtë si të pavërteta, përse, sepse në komisionin ku anëtarët janë nga të gjitha partitë politike, ishin ofruar të gjitha biografitë e secilit nga anëtarët e këshillave mbikëqyrëse dhe drejtuese, deklaroi Orce Gjorgjevski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Ndërkohë BDI thotë se në bazë të dokumenteve që posedon, është ulur përfaqësimi i shqiptarëve në këshillat e Qytetit të Shkupit. Sipas BDI-së numri i shqiptarëve në këshillat drejtues nga 40 ka rënë në 17 shqiptarë.
“Në disa ndërmarrje publike, sipas vendimeve të miratuara, nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar në këshillat drejtues: Higjiena Komunale, zero shqiptarë. Salla Universale, Biblioteka e Qytetit, Kopshti Zoologjik, Qendra Kulturore për të Rinj, dhe Qendra Kulturore për Fëmijë në Karposh- zero shqiptarë” – BDI.
• Në disa ndërmarrje publike nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar në këshillat drejtues
Ditë më parë Këshilli i Qytetit të Shkupit caktoi 117 ushtrues detyre anëtarë të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës të ndërmarrjeve publike me arsyetimin për mosbllokimin e punës për shkak të skadimit të mandatit të anëtarëve paraprak.



