Autobusi i cili është përplasur dhe më pas është djegur në Bullgari, e në të cilin humbën jetën të paktën 46 persona, është i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, i cili ka transportuar turistë për shëtitje në ekskursion në Stamboll të Turqisë.
Viktimat kryesisht janë fëmijë dhe të rinj të moshës 20-30 vjeç.
Ata janë nga Shkupi, Strumica, Manastiri dhe Velesi.
Në spitale po kurohen një 17 vjeçare dhe 6 persona të rritur të cilët kanë arritur të shpëtojnë duke u hedhur nga dritarja.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka folur edhe për listën e udhëtarëve në autobusin që u aksidentua në Bullgari.
“Siç e pamë, të gjithë janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, nga nacionalitete të ndryshme. Kemi një qytetar nga Presheva, së bashku me të fejuarën nga Kumanova. Kanë qenë së bashku në Stamboll. Pamë që në listë kishte edhe shtetas të Belgjikës”, tha mes tjerash Zaev.
Përndryshe, sot në vendin e quajtur Pernik në Bullgari ka ndodhur një aksident i tmerrshëm i një autobusi nga Maqedonia e Veriut.
Nga ky aksident tragjik, kanë humbur jetën 46 njerëz nga Maqedonia kurse rreth 20 prej tyre raportohet se kanë qenë të rinj.