EMRAT/ Të shtëna me armë zjarri në Fushë – Milot, tre vëllezërit në spital! Njëri prej tyre i plagosur nga plumbi ndërsa dy të tjerët nga dhuna e ushtruar ndaj tyre

Një ngjarje e rëndë shënon në Kurbin, ku pas disa të shtënave me armë, një person ka mbetur i plagosur, ndërsa dy vëllezërit e tij të lënduar për shkak të dhunës së ushtruar nga një palë të tretë.


Rasti ka ndodhur në fshatin Fushë Milot, kur tre shtetas janë konfliktuar me 3 vëllezërit për motive pronësie.

Konflikti ka nisur mes dy familjeve, kur shtetasi Pëllumb Murati, së bashku me vëllain e tij Sokol Murati dhe djalin e këtij të fundit, Valdano Murati, kanë sulmuar tre vëllezërit me iniciale Y.V., S.V., dhe E.V., fillimisht me sende të forta, e më pas kanë përdorur armë zjarri.

Për shkak të të shtënave me armë, ka mbetur i plagosur shtetasi E.V., ndërsa dy vëllezërit e tij kanë mbetur të lënduar për shkak të dhunës nga sendet e forta.

Të tre ata ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Uniformat blu kanë arritur të arrestojnë autorin Pëllumb Murati dhe vëllain e tij Sokol Muratin, ndërsa është shpallur në kërkim 32 vjeçari Valdano Murati.

Sakaq, grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin ligjor të këtij rast.

NJOFTIM

Kurbin/Informacion paraprak

U konfliktuan me sende të forta, për motive pronësie, me 3 vëllezër dhe më pas qëlluan me armë zjarri duke plagosur njërin prej tyre, Policia kap dhe arreston njërin nga autorët e dyshuar dhe vëllanë e tij, si dhe shpall në kërkim djalin e njërit prej të arrestuarve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, me marrjen e njoftimit se në fshatin Fushë Milot, po ndodhte një konflikt mes disa shtetasve, për motive pronësie dhe gjatë konfliktit kishte mbetur i plagosur me armë zjarri një shtetas dhe ishin plagosur me sende të forta dy të tjerë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë.

Nga veprimet e para në vendngjarje rezultoi se në konflikt ishin përfshirë dy familje, për motive pronësie. Konflikti kishte nisur fillimisht me sende të forta dhe më pas në përdorim të armës së zjarrit.

Shtetasi S. M., djali i tij V. M. dhe shtetasi P. M., vëllai i shtetasit S. M., ishin konfliktuar me sende të forta për motive pronësie me tre vëllezërit shtetasit Y. V., S. V. dhe E. V.

Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar me sende të forta shtetasit Y. V. dhe S. V., si dhe është plagosur me armë zjarri shtetasi E. V. (të tre vëllezër).

Shërbimet e Policisë vendore, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, kanë bërë të mundur kapjen, shoqërimin në Komisariat dhe arrestimin e shtetasve S. M. dhe P. M., si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin V. M.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. M., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. M.

Të tre të dëmtuarit janë aktualisht në spital, në kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të këtij rasti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme