Një 26 vjeçar është arrestuar në Tiranë dhe një 32 vjeçar është shpallur në kërkim pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, përfituan nga një biznesmen vlerën prej 6000 euro.
Në pranga ka rënë i riu Ervis Belollari dhe vijojnë kërkimet për bashkëpunëtorin e tij, Arsen Matollari.
Dyshja prezantohej si përfaqësues të drejtuesit të një institucioni vendor, duke zhvatur kështu biznesmenin në vlerën 6000 euro.
Hera e fundit që blutë kanë rënë në gjurmë të një skenari të tillë ka qenë më 11 shtator, kur u arrestua një 57 vjeçar, i cili i mori një administratori të një subjekti privat vlerën prej 3 mln lekë. 57 vjeçari prezantoj në aplikacionin “Signal” si përfaqësues të një institucioni vendor, duke bërë administratorin “pre” të tij.
NJOFTIM
DVP Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Unknown”.
Përfituan një shumë parash, nga një biznesmen, pasi komunikuan me të në emër të drejtuesit të një institucioni vendor, identifikohen 2 shtetas. Vihet në pranga njëri prej tyre, punohet për kapjen e tjetrit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e një rasti të përfitimit të një shume parash, me anë të mashtrimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Unknown”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi E. B., 26 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. M., 32 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar 6000 euro nga një biznesmen, duke iu prezantuar atij si përfaqësues të drejtuesit të një institucioni vendor.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M. dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.