Uniformat blu kanë arrestuar mbrëmjen e sotme 59 vjeçarin e shumëkërkuar, Pjetër Pacani.
Ai është dënuar me 25 vite burg për veprat penale “Vrasje ne rrethana cilesuese” dhe “Armembajtje pa leje” te parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/2 të Kodit Penal.
Pjetër Pacani është pjesë e listës “Top 50 më të kërkuarve” në shkallë vendi.
Ai kreu vrasje të dyfishtë në 18 shkurt 2011, për shkak se 59 vjeçari u mori hua 100 mijë euro viktimave përmes një kontrate të noterizuar, por nuk iu përmbajt kushteve të parashikuara për kthimin e parave. Mos zbatimi i kontratës nga Pacani krijoi konflikte mes huadhënësve dhe 59 vjeçarit, saqe përshkallëzoi në vrasje nga ky i fundit.
NGJARJA
Paçani qëlloi për vdekje Ndoc Zymaj dhe Vlash Gjeçi. Ngjarja erdhi pas një konflikti që kishte si shkak moskthimin e një huaje. Biznesmeni nga Laçi i kishte marrë Ndoc Zymajt një shumë prej 100 mijë eurosh me anë të një kontrate.
Por, biznesmeni Paçani nuk ishte treguar korrekt me afatin e caktuar. Për këtë arsye, biznesmeni dhe huadhënësi janë konfliktuar me anë të mesazheve telefonike, duke arritur deri në ofendime dhe sharje të rënda ndaj njëritjetrit. Pas bisedave dhe SMS-ve, Paçani ka lënë takim me Zymajt dhe Gjeçin
Pikërisht në momentin kur dy personat e fundit prisnin kthimin e borxhit, Paçani në atë kohë 48 vjeç, i qëlloi për vdekje me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Laç-Tiranë, në një lokal të quajtur “Exen”. Biznesmeni i firmës së betonit, në momentin që ka hyrë në lokal, ka qëlluar nga një distancë e afërt dy shokët e tij, duke iu drejtuar me fjalët: “Shani prapë nga nëna dhe motra”.
Vlash Gjeçi në momentet e fundit i është drejtuar shokut të tij me fjalët “na preu në besë”, gjë e cila është konfirmuar dhe nga dëshmitarët në gjyq. Në fund, Gjykata, ndonëse Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm, dha 25 vite heqje lirie për Pjetër Paçanin.
Ky i fundit arriti të largohej nga vendi i ngjarjes. Në konkluzionet e Prokurorisë u tregua se njëri nga viktimat, Ndoc Zymaj, është kushëriri i Paçanit, njëherësh dhe furnitor e menaxher i kantierit të lavatriçes së inerteve në FushëMilot, që ndodhet në pronësi të biznesmenit Pjetër Paçani.
Ndonëse pas ngjarjes Paçani ka paraqitur në Polici dhe Gjykatë dokumente të firmosura prej tij, forcat e rendit nuk arritën të binin në gjurmët e laçianit për disa vite. Autori dhe dy viktimat, Ndoc Zymaj e Vlash Gjeçi, kanë qenë banorë të qytetit të Laçit, të njohur prej vitesh dhe me marrëdhënie shoqërore e familjare të mira e të afërta mes tyre.
Është dokumentuar gjatë hetimit se i pandehuri Paçani, për nevoja të biznesit të tij, i kishte marrë borxh me përqindje interesi një shumë financiare prej mbi 100 mijë eurosh, shumë e cila nuk është kthyer. Fakti i borxhit, sipas akuzës, provohet në disa mesazhe të zbuluara në telefonat e viktimave. Para ngjarjes së rëndë, mes biznesmenit dhe dy viktimave ka pasur sherr me SMS për shkak të moskthimit të huasë.