Me votimin e referendumit në Turqi që u mbajt të dielën, e në të cilin turqit votuan për ndryshime e sistemit qeverisës me 51.4 pro dhe 48.6 kundër, nuk forcohet pozita e presidentit aktual, Taip Erdogan.
Kështu pohon njohësi i rrethanave në Turqi, Amir Ahmeti që thekson se atje po ndryshon vetëm sistemi i qeverisjes, njofton Klan Kosova.
Ai madje ka thënë në Info Magazine se sistemet presidenciale janë të shumta në botë si ato të SHBA-së dhe Francës.
“Sipas ndryshimeve të fundit kompetencat e presidentit do të jenë më të vogla se sa ato që një president i ka në Francë ose SHBA”, ka theksuar Ahmeti.
“Nuk është duke u bërë ndonjë ndryshim i panjohur dhe duhet ta marrim normal këtë ndryshim”, ka shtuar ai.
Ahmeti ka deklaruar se një prej pikave të rëndësishme është se Turqia deri sot ka qenë i vetmi shtet – anëtar i NATO-s në të cilin ushtria ka pasur kompetenca politike.
“Dhe me këto ndryshime po hiqen ato kompetenca të ushtrisë”, ka deklaruar Ahmeti.
Një Turqi e fuqishme, thotë ai se është e mirë edhe për ne.
“Erdogani nuk është diktator”, ka pohuar ai.
“Turqia po mundohet të ketë një mënyrë të re të zhvillimit të demokracisë në vend”.
Ahmeti ka shtuar se Turqia është një shtet i fuqishëm që ka prodhuar motorin me naftë për herë të parë dhe kjo sipas tij i rrezikon fuqitë e tjera.