“Qëndrimi i Ankarasë për luftën ruso-ukrainase është i drejtë dhe i balancuar”, tha presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, duke vënë në dukje për kontaktet e vazhdueshme me liderët e të dyja palëve, raporton Anadolu.
“Si Türkiye, kemi miratuar një qëndrim të drejtë dhe të ekuilibruar për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës… Ndërsa forcojmë lidhjet tona me Ukrainën, ne nuk kemi lejuar që marrëdhëniet tona me Federatën Ruse të përkeqësohen”, tha Erdoğan në një ceremoni në provincën verilindore turke, Bayburt.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy vizitoi Istanbulin për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë zhvillimet e fundit në luftën me Rusinë, marrëveshjen e grurit të Detit të Zi dhe përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajonin e Detit të Zi.
“Dje, ne pritëm presidentin ukrainas Zelenskyy në Istanbul. Tashmë po mbajmë një dialog të ngushtë me (presidentin rus Vladimir) Putin. Në gusht, shpresoj se do të takohemi edhe me Putinin”, tha Erdoğan.
Ai tha se “Türkiye po punon për të penguar efektet negative të luftës ruso-ukrainase, duke forcuar njëkohësisht lidhjet me Kievin dhe Moskën”.
Türkiye, vendi që ka fituar vlerësime ndërkombëtare për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes bisedimeve.