Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, tha se shqetësimet po rriten në vendet perëndimore nga krizat energjetike dhe ushqimore, duke shtuar se Türkiye “nuk e ka një problem të tillë”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Me afrimin e sezonit të dimrit, shqetësimet lidhur me energjinë dhe ushqimin po rriten në Perëndim. Ne nuk kemi shqetësime të tilla”, tha Erdoğan në një ngjarje në kryeqytetin Ankara.
Gjatë vizitës së realizuar javën e kaluar në kryeqytetin çek, Pragë, ku mori pjesë në një samit evropian, Erdoğan tha se shumë nga liderët e pranishëm flisnin se si do ta kalonin dimrin.
“I dëgjova këto shqetësime. Liderët po mendonin vetëm për momentin aktual. Fatkeqësisht, ata nuk po i vlerësonin zhvillimet midis Rusisë dhe Ukrainës me arsye të shëndoshë”, tha ai.
Erdoğan shtoi se miliona njerëz, nga Afrika e deri në Azi, përballen me vështirësi për të pasur produktet bazike ushqimore.
Ai theksoi se mbi 7 milionë tonë drithëra ukrainase janë dërguar në tregjet botërore nëpërmjet Türkiye-s që nga nënshkrimi i marrëveshjes në korrik që hapi një korridor detar përmes Detit të Zi.
Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen në Istanbul më 22 korrik për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.