Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë takimit me homologun e tij amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se Türkiye po “fillon një proces të ri” me SHBA-në, raporton Anadolu.
Presidenti turk u takua me presidentin amerikan në margjinat e samitit të NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius.
Erdoğan tha se takimet e mëparshme me Biden ishin “seanca nxemje”, duke shtuar se “tani po fillojmë një proces të ri”.
Erdoğan po ashtu tha se beson se është koha për konsultime në nivel të krerëve të shteteve me SHBA-në si pjesë e mekanizmit strategjik
“Këtë takim e konsideroj si hapin e parë drejt kësaj”, shtoi ai.
Presidenti Biden, nga ana e tij, e falënderoi presidentin Erdoğan për lidershipin e tij dhe kryerjen e diplomacisë në procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke theksuar se mezi pret të takohet sërish me presidentin turk.
Pranimi i Suedisë në NATO pas Finlandës është një nga pikat kryesore të agjendës së samitit.
Dje, pas një takimi trepalësh me presidentin Erdoğan dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se Türkiye ka ra dakord të dërgojë në parlamentin e saj për ratifikim protokollin e pranimit të Suedisë në aleancë.
Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në Qendrën e Ekspozitave dhe Kongreseve Lituaneze (LITEXPO), ku dhe mbahet takimi dyditor i NATO-s që filloi sot më herët.
Më herët, presidenti Erdoğan u takua me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Rishi Sunak, kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.