Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit në Ankara me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se Turqia me vendosmëri do të vazhdojë përpjekjet e saj për arritjen e një armëpushimi të përhershëm midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin Scholz, presidenti Erdoğan tha se Turqia dhe Gjermania ranë dakord për të rritur përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës së Ukrainës duke marrë po ashtu masa për sigurinë evropiane.
“Për çështjet rajonale ne i kushtojmë rëndësi punës në bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë. Zhvillimet e fundit në rajonin tonë kanë dëshmuar se Turqia ka një rol kyç në shumë fusha, veçanërisht në siguri dhe energjetikë. Ne si dy aleatë të NATO-s kemi riafirmuar pikëpamjet dhe shqetësimet tona të përbashkëta (për çështjen Rusi-Ukrainë). Ne kemi rënë dakord se duhet të përshpejtohen përpjekjet diplomatike për një zgjidhje duke marrë po ashtu masat e nevojshme për sigurinë e Evropës”, deklaroi presidenti Erdoğan.
Erdoğan kujtoi se Turqia ka kontribuar në përparimin për mbledhjen e palëve dhe vendosjen e dialogut.
Pas përpjekjeve të Turqisë, javën e kaluar shefat e diplomacisë ruse dhe ukrainase u takuan në Antalya në takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
“Organizimi i një takimi të tillë, derisa lufta po vazhdonte, në vetvete ishte një arritje e rëndësishme diplomatike. Ne me këmbëngulje do të vazhdojmë përpjekjet tona në mënyrë që të arrihet një armëpushim i përhershëm”, u shpreh presidenti turk.
Synimi i vëllimit tregtar midis Turqisë dhe Gjermanisë është 50 miliardë dollarë
Presidenti Erdoğan tha se po ashtu edhe marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Gjermanisë ishin në agjendën e takimit të tyre, si dhe shtoi se duhet të ringjallen mekanizmat aktuale të konsultimit të nivelit të lartë me Gjermaninë.
“Si dy vende të G20-tës, avancimi i mëtejshëm i partneritetit tonë ekonomik në rendin e ri global do të jetë në përfitimin tonë të përbashkët. Gjermania është partneri numër një i Turqisë në eksporte dhe numër dy në importe”, tha Erdoğan.
Presidenti turk tha se vendi i tij dhe Gjermania janë të vendosura për të rritur vëllimin e tyre të tregtisë dypalëshe në 50 miliardë dollarë. Gjermania tashmë është destinacioni më i madh për eksportet turke.
Ai po ashtu njoftoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe midis dy vendeve në vitin 2020 ishte rreth 38 miliardë dollarë, ndërsa vitin e kaluar ishte 41 miliardë dollarë.
“Përgjegjësia humanitare”
Kancelari gjerman, nga ana e tij, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të “ndalojë tani” luftën kundër Ukrainës, si dhe shtoi se mbrojtja e refugjatëve është “përgjegjësia jonë humanitare”.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), lufta Rusi-Ukrainë që filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar një fluks refugjatësh ukrainas në vende të tjera, respektivisht deri më tani nga Ukraina janë larguar të paktën 2.8 milionë njerëz.
Scholz theksoi se mbyllja e ngushticave turke për anijet luftarake në përputhje me Konventën Montreux është një kontribut i rëndësishëm, si dhe falënderoi Turqinë për këtë.
Ukraina, tha ai, duhet të vendosë se çfarë është e duhur për të në negociatat e saj me Rusinë.
Scholz po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjisë midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE).
“Gjermania dhe qeveria e saj e re duan të vlerësojnë potencialin për marrëdhënie të mira me Turqinë”, tha Scholz.
Midis Turqisë dhe BE-së, theksoi Scholz, do të aktivizohen formatet e dialogut të nivelit të lartë.
Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka tërhequr dënimin ndërkombëtar duke çuar edhe në sanksione financiare ndaj Moskës. Kjo luftë po ashtu ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 596 civilë janë vrarë dhe rreth 1.100 të tjerë janë plagosur që fillimi i luftës në Ukrainë, por thuhet se është e vështirë të merren shifra të sakta mes mjegullës së luftës.